Politike

Koalicionet parazgjedhore, PD kërkon mendimin e OSBE, PS vendos 30 shtatorin afat

Askush nuk priste që mbledhja e parë e Këshillit Politik pas pushimeve të verës të prodhonte ndonjë konsensus mes opozitës dhe mazhorancës…dhe ashtu ndodhi.

Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë ende shumë larg në qëndrime me Partinë Socialiste sa i përket hapjes së listave dhe formulës së koalicioneve parazgjedhore. Opozita ka klasifikuar si të panegociueshme për të hapjen e plotë të listave dhe ruajtje të formulës aktuale të koalicioneve, që u garanton partive kandidimin me lista të veçanta brenda të njëjti koalicion.

Ky kusht iu bë me dije mazhorancës edhe në letrën që Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili dorëzuan në këtë Këshilli ku konfirmuan pjesëmarrjen në mbledhjen e kësaj të hëne.

“Hapja e listave nuk ka asnjë lidhje kushtetuese, ligjore apo praktike, me formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe ndarjen e zonave zgjedhore. Hapja e listave ka të bëjë me garën brenda vetë një partie politike. Koalicionet janë një mekanizëm ligjor që garanton mundësinë e partive politike për t’u grupuar së bashku dhe për të ruajtur të pa deformuar vullnetin e qytetarëve dhe votat e tyre brenda koalicionit. Rregullat për koalicionet parazgjedhore janë të lidhura drejtpërdrejt me garën elektorale mes palëve dhe janë mekanizëm që ndikon në rezultatin e zgjedhjeve mes palëve”, nënvizohet në letër.

Opozita e Bashkuar pretendon se ka marrë parimisht dakordësimin edhe nga ana e Partisë Socialiste për hapjen e plotë të listave dhe shpreh gatishmërinë që të vijojë diskutimet në Këshillin Politik për këtë çështje.

Por, nga mazhoranca mendojnë të kundërtën.

“Ndryshimet kushtetuese tashmë janë në fuqi. I doni apo nuk i doni kjo është tjetër çështje. Kemi Kushtetutën në fuqi dhe detyrimin për ta reflektuar në Kodin Zgjedhor. Qëndrimi juaj i sotëm synon që të mos zbatohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe thoni hajdeni futemi në zgjedhje me një kod që bie ndesh me Kushtetutën”, është shprehur përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri gjatë diskutimeve mes opozitën.

Në mungesë të dakordesisë, opozita ka propozuar në Këshillin Politik marrjen e nje opinioni nga ODIHR.

“Ne, për çështje që nuk kemi dakordësi, sipas kësaj marrëveshje (marrëveshja e 14 janarit) kemi të drejtën t’i drejtohemi OSBE/ODIHR për të dhënë opinion për çështjet, kur nuk gjendet konsensus. Bëmë këtë propozim që u refuzua nga përfaqësuesi i maxhorancës. Ai shprehu qartë qëndrimin se nuk është dakord të marrë opinionin e OSBE/ODIHR”, tha përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.

Mazhoranca ka hedhur poshtë këtë propozim. Arsyetimi i mazhorancës është bazuar në marrëveshjen e nënshkruar më 14 janar, që ngriti Këshillin Politik. Socialistët thonë se kjo marrëveshje detyron palët në Këshillin Politik që t’i adresohen OSBE/ODIHR atëherë kur palët nuk bien dakord me rekomandimet e dhëna prej tyre për proceset zgjedhore në Shqipëri. Por, socialistët thonë se hapja e listave dhe ndryshimet Kushtetuese nuk janë pjesë e këtyre rekomandimeve, ndaj s’ka se çfarë opinioni të kërkohet.

Në vend të opinionit të OSBE/ODIHR PS i kërkon opozitës që të dorëzojë në Këshill brenda 30 shtatorit propozime që nuk bien ndesh me Kushtetutën, e që sipas mazhorancës nuk pranojnë formulën aktuale të koalicioneve.

Në mes të socialistëve nga njëra anë dhe PD-së dhe LSI-së nga ana tjetër u pozicionua Rudina Hajdari, si përfaqësuese e opozitës parlamentare në Kuvend. Shqetësimi i ngritur prej saj në këtë Këshill lidhet vetëm me hapjen 100 për qind të listave dhe me votën e emigrantëve, ndërsa përplasjen për koalicionet e cilësoi si përpjekje të të dyja palëve për të manovruar elektoratin.

“Mona kërkon që t’i shkojë pas Bashës dhe të mbajë vagonin e partiçkave, ndërsa Rama kërkon tepsinë për vete”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë