Dalja e parë e Damian Gjiknurit si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, përveç përçimit publik të mesazhit në publik se numri dy i saj ka ndryshuar, nuk prodhoi ndonjë lajm tjetër.
Të gjitha të tjerat që shqiptoi Sekretari i ri i Përgjithshëm i socialistëve ishin njoftuar më parë nga Edi Rama, që nga afati 100-ditor për hartimin e një platforme të re mbi bazën e së cilës do të funksionojë partia, te analiza e rezultatit të zgjedhjeve dhe ristrukturimi i partisë, ku vetë ristrukturimi i partisë nënkupton ndërhyrje në statut dhe automatikisht thirrjen e Kongresit.
Edi Rama i ka mëshuar fill pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit nevojës për ndryshime në parti. Ai i argumenton këto ndryshime me sfidat që ka PS në mandatin e tretë, që nga qeverisja, deri te ambicia për të fituar në zgjedhjet lokale dhe në ato të përgjithshme të 2025-s, për mandatin e katërt.
Përmes fjalimeve të mbajtura më 13 qershor, në 30-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste dhe më pas në 2 shtator, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, ku u zgjodh Kryesia e re dhe u njoftua përbërja e Qeverisë së re, Kryeministri ka theksuar se PS duhet të shkëputet nga praktikat e vjetra dhe perceptimi i zyrave të saj si zyra punësimi.
“Organizatat duhet të shndërrohen në qendra mendimi, kritike e debati”, ka deklaruar ai.
Ndryshimet në përpjekje për të jetësuar këtë ide të Ramës do të ecin paralelisht edhe me një fushatë të re anëtarësimesh, ku objektivi i socialistëve do të jetë tërheqja e rinisë. Këtu, Rama ka paralajmëruar se nuk do të pranojë justifikime.
“Jo nuk është kollaj të gjesh njerëz të rinj, jo po të mos prishim ekuilibrat se po vijnë zgjedhjet, jo po nuk afrohen njerëzit po nuk u dhe punë shteti, jo po kur nuk ka punë kryetari i organizatës nuk i shkon njeri prapa, jo po rinia është indiferente, jo po statuti, jo po udhëzimi, jo po duam mbështetje nga lart, të mos hapim sherre nga poshtë, ç’deshi ai te zona ime. ai pi kafe te lokali i pd, jo po ajo ja i kishte lënë lokalin LSI-së”, deklaroi ai gjatë fjalës së mbajtur para Asamblesë së 2 shtatorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje