“El Pais Semanal”, suplementi i së dielës së gazetës së njohur spanjolle “El Pais” i ka dedikuar një numër special jetës pas koronavirusit. Një reportazh i gjatë me titullin “E ardhmja është këtu”, që sjell reflektimet e shumë personazheve të njohur, nga Ferran Adria te Brixhit Bardo, nga David Gueta te Norman Foster, nga Franko Vatimo te Nuo Ordine, nga Migel Barcelo tek Isabel Koixet. Nga fusha e sportit kanë folur Lionel Mesi dhe Rafael Nadal.
“Kemi dyshime si do të jetë bota pas gjithë kësaj që ndodhi. Përtej kufizimit dhe situatës që na kapi papritur, shumë njerëz kanë qenë vërtet keq dhe janë goditur direkt me humbjen e jetës të familjarëve dhe miqve, të personave të dashur, të cilëve nuk mundën t’u jepnin as lamtumirën. Në këtë krizë ka pasur shumë gjëra negative, por nuk ka asgjë më të keqe se të humbësh një njeri të dashur. Është diçka që më irriton shumë, diçka shumë e padrejtë”, – ka thënë mesi mes të tjerash.
Pastaj ylli argjentinas fokusohet te futbolli: “Futbolli, si jeta në përgjithësi, nuk do të jetë më si më parë. Secili nga ne do ta kujtojë sipas mënyrës së vet këtë që ndodhi. Kam një ndjenjë dhimbje për ata që kanë vuajtur më shumë për humbjen e njerëzve më të afërt. Mirënjohje të pafundme për ata që kanë luftuar për ta mposhtur virusin në qendrat shëndetësore. Futbolli sporti sigurisht që janë goditur, në anën ekonomike, sepse ka kompani që janë të lidhura me sportin dhe po përjetojnë një situatë të vështirë, ndërsa për anën sportive, sepse rikthimi në stërvitje dhe në aktivitet është ndryshe nga më parë. Ndryshon gjithë dinamika”.

Tenisti i madh spanjoll, Rafael Nadal, e mendon kështu jetën pas koronavirusit. “Mendoj për fushat dhe stadiumet plot, sa më pëlqen t’i shoh. Duhet të jemi të duruar dhe të gjejmë ilaçin, por unë nuk besoj te një normalitet i ri. Normaliteti i ri do të jetë ai që do të pranojmë ne. Mua më pëlqen të takoj njerëzit, t’i përqafoj dhe të ndaj gjërat me ta, duhet të kërkojmë sërish këto gjëra. Nuk duhet të kënaqemi vetëm me respektimin e përjetshëm të rregullave të distancimit social”. Nadal ka krijuar një fond për të ndihmuar tenistët në vështirësi dhe ka mbledhur 5.5 milionë euro që do të shkojnë për mbështetjen e 800 kolegëve të tij të prekur nga koronavirusi, 400 meshkuj dhe 400 femra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje