Politike

Kandidati i Berishës, nën logon e Metës, pasi KAS rrëzoi Rithemelimin në zgjedhjet e Kukësit

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve, në mbledhjen e sotme ka vendosur të rrëzojë padinë Rithemelimit të Sali Berishës për t’u regjistruar në zgjedhje për Bashkinë e Kukësit.

KAS ka vendosur që në zgjedhje të regjistrohet PD zyrtare me kryetar Lulzim Bashën, duke e mos e njohur kështu grupimin e Berishës, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e 14 majit.

Së fundmi në KQZ u bë kërkesë nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” në mënyrë që kandidati i Berishës, Emri Vata, të regjistrohej nën siglën e koalicionit.

Vendimi:
2.Shqyrtimi i kërkesës ankimore nr. 94 me objekt “Kundërshtimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve nr. 745, datë 04.09.2023; dhe Ndryshimin e vendimit duke vendosur, regjistrimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë të përfaqësuar nga Kryetari Sali Berisha, si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Kukës, të datës 24 Shtator 2023”.

Dhe, ashtu si në 14 maj, Sali Berisha ka gjetur sërish strehë nën logon e Ilir Metës. Kandidati i Berishës, Emri Vata që fitoi Primaret e Foltores për Kukësin, nuk mund të ishte në garën e 24 shtatorit, nëse Ilir Meta dhe Nard Ndoka nuk do të krijonin koalicion. Vata do të jetë në garë nën të njëjtin emër si ata që garuan më 14 maj, Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, me drejtues Partinë e Lirisë.

Kësaj radhe, Vangjel Dule i PBDNJ-së, ndryshe nga 14 maji, nuk do të jetë pjesë e koalicioni, për shkak të numrave modestë të PBDNJ-së në veri.

Pavarësisht se KQZ vendosi njësoj si në 14 maj, Sali Berisha ka vendosur t’i ndjekë të gjitha hallkat dhe procedurat ligjore në KAS. Por ndërkohë që Berisha tashmë duket se ka të qartë se ku do ta fusë të garojë kandidatin e vet, Lulzim Basha dhe Partia e tij Demokratike ende nuk kanë vendosur së cfarë do të bëjnë në Kukës. Për këtë, Basha ka afat deri të premten në mesnatë, ndërkohë që KQZ-ja vendosi që 2 komisionerët e opozitës i takojnë Partisë së Lirisë, si partia opozitare më e votuar, me kontributin e elektoratit të Sali Berishës.

Të gjitha gjasat duken që Basha të mos ndërmarrë asnjë lëvizje dhe ta lerë Partinë e tij Demokratike, sërish jashtë sfidës së ardhshme elektorale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë