Maqedonia e Veriut arriti një fitore historike në Gjermani, në kualifikueset e “Katar 2022”. Fqinjët tanë fituan 1-2, duke shkaktuar një tërmet të vërtetë për “Mannschaft”, ndërsa shumica e tifozëve dhe specialistëve gjermanë kërkojnë largimin e trajnerit Joakim Lëv.
Një atmosferë krejt tjetër është ajo që që rrethon tashmë kombëtaren e vogël ballkanike. Në historinë e Maqedonisë së Veriut në futboll dy data janë të paharrueshme: 12 nëntor 2020, kur u arrit kualifikimi për në Europian, dhe 31 mars 2021, dita e fitores kundër Gjermanisë. Për atë mbrëmje të paharrueshme në Duisburg ka folur portieri Stole Dimitrievski, i cili për spanjollen “Marca” ka zbuluar disa detaje interesante.

“Është e pabesueshme! Kur arbitri vërshëlleu për fundin e ndeshjes, nuk po e besonim, na dukej sikur tabela e rezultatit nuk ishte e vërtetë. Është momenti ynë, fitorja më e rëndësishme e kombëtares sonë, rezultati më i mirë bashkë me kualifikimin për në Europian”, – shprehet Dimitrievski. Maqedonia e Veriut në Europian bën pjesë në një grup me Austrinë, Ukrainën dhe Holandën.
Edhe kualifikimi për në Botëror nuk duket aq i pamundur. “Ne do të jemi “mina me sahat” e Europianit, jam i sigurt. Do ta themi fjalën tonë edhe në kualifikueset e Botërorit të Katarit. Renditja në grup ka shkuar në mënyrën më të paparashikueshme, me 6 pikët tona dhe 9 pikët e Armenisë. Gjermania dhe Rumania duhet të djersijnë shumë për kualifikimin”, – pohon më tej portieri maqedonas.
Dimitrievski rrëfen në fund edhe tërbimin e gjermanëve. “E përballuam ndeshjen me shumë qetësi. E dinim që duhej të ishim të përqendruar në mbrojtje për të mos bërë gabime. Gradualisht e rritëm lojën dhe nisëm t’i afroheshim portierit Ter Shtegen. Ata po bëheshin nervozë, por sigurisht, erdhën shpesh në zonën time, janë Gjermania. Prita gjuajtjen e Gnabrit, Goretzka gjuajti jashtë.

Goli i Pandevit na dha besim, por ishte sikur ata të thoshin: ‘nuk ka problem, jemi Gjermania dhe do fitojmë ne’. Mendoj se nuk na morrën seriozisht, sidomos shtypi gjerman. Barazuan me një penallti jo shumë të qartë dhe nuk na u dha një penallti neto, pas një faulli të Emre Çan.
Pastaj shënoi Elmas dhe ishte goditja finale për ta. Askush nuk na komplimentoi për fitoren dhe kjo nuk është diçka e bukur. Me kë e ndërrova fanellën? E pamundur, qëndruam në distancë, sepse ata ishin si të tërbuar”. Në fund të fundit, edhe gjermanët shkruan historinë, edhe pse në sensin negativ…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje