Politike

Asnjë surprizë, kandidatura e paralajmëruar për kryetare të ILDKP-së votohet në Kuvend

Deputetët kanë votuar Sekretaren e Përgjithshme të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Integritetit, Evgjeni Bashari, si kryetare të re të këtij institucioni Kandidatura e Basharit u shpall fituese këtë të mërkurë pas votimit në Kuvend përballë emrit të Helena Papës.

Përzgjedhja e saj nga ana e socialistëve u paralajmërua në Komisionin e Ligjeve, ku ishte kandidatja më e votuar, ndërsa vetë kreu i këtij Komisioni, Ulsi Manja tha se Parlamenti do të marrë në konsideratë edhe përvojën dhe vazhdimësinë brenda këtij institucioni.

Këtë garë, Instituti i Studimeve Politike e cilësoi formale dhe të paracaktuar dhe paralajmëroi se në seancë do të zgjidhej Bashari. Duke iu referuar mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku nga pesë kandidatë u miratuan dy emra për t’u çuar në seancë plenare për votim dhe tre të tjerët u rrëzuan, Instituti vëren se koha e prezantimit të kandidaturave ishte e shkurtër dhe me procedura formale.

“Komisioni nuk ka publikuar CV e kandidatëve, megjithatë zhvilloi seancë dëgjimore ku 5 kandidatët kishin në dispozicion vetëm 5 minuta prezantim online. Pra, 5 minuta prezantim online për një mandat kushtetues 7 vjeçar dhe Komisioni, pasi dëgjoi 5 x 5 minuta online të gjithë kandidatët, vendosi me votim të përzgjedhë dy prej tyre. Interesante është rezultati i votimit: si rregull, në 5 kandidatë me të dhëna profesionale, rezultatet duhet të ishin të përafërta, sidomos kur Komisioni i Ligjeve supozohet se ndjek praktikat e meritokracisë dhe kur në përbërje të tij ishin edhe deputetë jo zyrtarisht anëtarë të mazhorancës”, thotë ISP.

Komisioni i Ligjeve votoi me 15 dhe 14 vota pro që gara të vazhdojë mes Evgjeni Basharit dhe Helena Papës dhe skualifikoi thuajse me votë unanime të gjitha kandidaturat e tjera. ISP hedh dyshime për formalitet të garës duke iu referuar edhe deklaratës së kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

“Për ta bërë edhe më të qartë formalitetin e garës dhe përcaktimin paraprak të fituesit, u kujdes vetë kryetari i Komisionit Manja, i cili në shpallje të vendimit tha se ai e kolegët e tij deputetë kanë marrë në konsideratë nevojën për vazhdimësinë e punës në këtë institucion për shkak të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë dhe në polici! Shkurt, një nga kandidatët punon në ILDKPKI dhe sipas kryetarit të Komisionit, kjo e dhënë ka qenë përcaktuese për ta zgjedhur atë në emër të vazhdimësisë, deklaratë që zhvleftëson dhe e bën të para gjykueshëm të gjithë procesin e thirrjes, seancës dëgjimore dhe votimit “të pavarur dhe me ndërgjegje” të deputetëve në komisionin, që duhej të ishte, së paku formalisht, model i respektimit të procedurave ligjore”, vëren ISP.

Deklarata e Manjës “sugjeroi” se në emër të vazhdimësisë, Kuvendi do të mbështesë në seancë plenare kandidaturën e Evgjeni Basharit, që shkonte në këtë procesi si Sekretare e Përgjithshme e ILDKP-së dhe përballë kishte Helena Papa, drejtore kabineti e kryetarit të KLGj-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë