Atalanta e Etrit Berishës dhe Berat Gjimshtit shkon në Champions League. Ky është verdikti përfundimtari i Serisë A, pas javës së fundit të kampionatit. Në Champions League shkon mes drithërimash edhe Interi, ndërsa Milani mbetet jashtë kompeticionit madhor për klube dhe duhet të kënaqet me Ligën e Europës. Milani, pas fitores 2-3 në fushën e Spalit, e mbylli kampionatin në kuotën e 68 pikëve, në vend të 5-të, një pikë pas Atalantës dhe Interit.
Atalanta mundi 3-1 Sasuolon, që e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë. Zapata, Gomez dhe Pasaliç zhvlerësuan golin e Berardit, i cili u ndëshkua me karton të kuq që në pjesën e parë. Berat Gjimshiti ishte titullar në këtë ndeshje, si zakonisht javët e fundit, ndërsa Etrit Berisha në stol. Një arritje e madhe kjo për skuadrën e dy futbollistëve të Kombëtares shqiptare, që sezonin e ri do t’i shohim në Champions, nëse nuk largohen nga Atalanta. Mbrojtësi kuqezi ka pasur një rritje të jashtëzakonshme dhe me siguri do të qëndrojë, ndryshe nga portieri Berisha, i cili po mendon për një skuadër të re, pasi ka humbur vendin e titullarit.

Interi mundi 2-1 Empolin në “San Siro” dhe siguroi Championsin, por ishte një ndeshje e mbushur plot emocione. Keita Balde shënoi golin e avantazhit për Interin pak minuta pasi ishte hedhur në fushë nga Spaleti në pjesën e dytë, por Empoli barazoi afër fundit të ndeshjes. Naingolan riktheu avantazhin vetëm pas 5 minutash. Brozoviç shënoi në shtesë, por goli i kroatit u anulua, pasi konsultimit me VAR-in. Duhet theksuar se Ikardi humbi një 11-metërsh dhe njëkohësisht mundësinë për ta dyfishuar rezultatin. Pak minuta më pas sulmuesi argjentinas u zëvendësua nga trajneri Spaleti. Kjo humbje bëri që Empoli i Frederik Veselit, i cili qëndroi në stol, të bjerë në Serinë B, bashkë me Kievon dhe Frozinonen.

Një ndeshje e veçantë ishte ajo e Romës me Parmën, ku i është dhënë lamtumira kapitenit Daniele De Rosi, pas shumë polemikash nga ana e tifozëve karshi klubit. Koreografia e tifozëve të Romës për De Rosin ishte vërtet fantastike. Mesfushori është një nga lojtarët flamur të Romës, që gjithë karrierën e tij e ka të lidhur me këtë skuadër. Roma fitoi 2-1 ndaj Parmës dhe shkon në Ligën e Europës, ashtu si Milani dhe Lacio, që fitoi Kupën e Italisë, pasi kmapionatin e mbylli në vend të 8-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje