Bota

Atentat në Donbasin e pushtuar, plagoset ish-zëvendëskryeministri rus

Gazeta Si – Ndërsa presidenti Volodimir Zelenski kthehej në Kiev nga SHBA-të, lajmi që ka mbajtur në ankth njerëzit në rrjetet sociale ishte plagosja e ish-zëvendëskryeministri rus dhe ish-kryetarit të Agjencisë Hapësinore “Roscosmos”, Dmitrii Rogozhin.

Ai është qëlluar me armë zjarri së bashku me zyrtarin e lartë Vitalii Khotsenko në një sulm jashtë Donjetcut mbrëmjen e 21 dhjetorit.

Rogozhin, i cili mbërriti në Donbasin e pushtuar për të shërbyer si kreu i grupit të trajnimit ushtarak në hije, të njohur si “Ujqërit e Carit”, i cili, sipas mediave ruse, “trajnon luftëtarët në Donbas për operacione zbulimi dhe sulmi”, ishte në Restorant “Shesh-Besh”, i vendosur në mes të një zone të pyllëzuar në jug të kufijve të qytetit.

Ishte atje për të festuar ditëlindjen e tij të 59-të. Por festa nuk shkoi shumë mirë.

Sipas mediave ruse dhe vetë Rogozhinit, dy persona mbetën të vrarë, mes tyre një truprojë dhe pesë të tjerë u plagosën.

Rogozhin u shtrua në spital, pasi një pjesë e vogël e copëzave të predhës së qitur i hyri në shpinë, sipas llogarisë së tij personale në Telegram, “disa centimetra larg nga shtylla kurrizore” (ukrainasit thonë se ai është plagosur në të pasme).

Natyra e saktë e lëndimit të Khotsenkos nuk dihet, por agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass”, raportoi se ai është në gjendje të qëndrueshme dhe nuk ka rrezik për jetën.

Rogozhin, si dhe kryeprokurori rus në Donjeck, Denis Pushilin, akuzuan Ukrainën për agresionin, duke thënë se ishte një sulm i qëllimshëm i kryer nga artileria e rëndë ukrainase.

“Dikush zbuloi informacionin dhe rreth orës 19:45 pati disa goditje me precizion të lartë, duke përfshirë edhe vendin ku ishim drejtpërdrejt”, shkroi Rogozhin.

“Më kanë goditur me predha të kalibrit 120 mm ose 155 mm. Hetimi do të përcaktojë autorin”.

Siç raportohet nga agjencia e lajmeve ruse “Interfax”, një ndihmës anonim i Rogozhin specifikoi armën e përdorur ndoshta, një obus vetëlëvizës francez 155 mm “Caesar”.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar mbi sulmin. Megjithatë, saktësia e gjuajtjes, në një vendndodhje qindra metra larg çdo zone apo infrastrukturë të ndërtuar, sugjeron se gjasat e një gjuajtjeje për të shënjestruar njërin ose të dy burrat, janë të larta.

Në një postim tallës, këshilltari politik dhe ish-zëvendësministri i Brendshëm ukrainas, Anton Herashchenko, e quajti sulmin një “dhuratë ditëlindjeje” nga Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Herashchenko në asnjë mënyrë nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Ukrainës, por është e qartë se dyshimet janë të bazuara.

Që nga fillimi i pushtimit rus, Ukraina ka vënë në shënjestër të hapur gjeneralët rusë, 14 prej të cilëve thuhet se janë vrarë, kryesisht në muajt e parë të luftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë