Futboll

“Audi Cup”/ Totenhemi thellon krizën e Realit, Bajerni luan tenis

Miqësore luksi në Mynih, në “Audi Cup”, ku marrin pjesë Bajerni, Real Madridi, Totenhemi dhe Fenerbahçe. Totenhemi ka mundur 1-0 skuadrën e trajnerit Zidan, duke thelluar krizën e saj, ndërsa bavarezët janë argëtuar me gola ndaj turqve.

Po afrojnë kampionatet, por miqësoret e luksit vazhdojnë. Në Mynih i bëjnë gjërat shumë seriozisht dhe për trofeun “Audi Cup” janë ftuar tre klube të nivelit të lartë: Totenhemi, Real Madrid dhe Fenerbahçe. Ndeshja më e rëndësishme ishte ajo mes Realit dhe Totenhemit. Skuadra e trajnerit Zidan, edhe këtë radhë pa uellsianin Bejl, pas humbjes së thellë 7-3 në derbin me Atletikon, pritej të reagonte, por në fakt e ka thelluar krizën. Të gjithë pa përjashtim kanë mbetur të zhgënjyer pas humbjes 1-0 ndaj nënkampionëve të Europës.

Totenhemi feston golin e fitores ndaj Realit

Nuk është rezultati që ka sjellë zhgënjim, por më tepër loja, sepse, po të mos ishte portieri Kejlor Navas në atë formë aq të mirë, spanjollët do të kishin pësuar më shumë. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në pjesën e parë nga kapiteni i anglezëve, Herri Kejn, pas një dhurate të Marselos. Reali vinte në këtë ndeshje me moral të ulët dhe mbi të gjitha me infermierinë plot, megjithatë tifozët prisnin që ekipi të bënte diçka. Pas më shumë se dy javësh nis kampionati dhe Zidan duhet të sistemojë gjërat sa më shpejt.

Trofeu “Audi Cup|

Bajernit i takoi kundërshtari më i lehtë dhe sulmi ndaj trajnerit Kovaç para ndeshjes u harrua shpejt. Të zotët e shtëpisë shënuan plot 6 herë ndaj Fenerbahçes, që bëri shumë pak për të përballuar vrullin e bavarezëve. Tre gola nga Tomas Myller, ndërsa 3 golat e tjerë u shënuan nga Goretzka, Renato Sançes dhe Koman, të gjithë brenda 60 minutash, para golit të nderit të turqve, i shënuar nga gjermani Kruse. Bajerni do të luajë ne finale me Totenhemin, kurse Reali do të ndeshet me Fenerbahçen në një ndeshje që askush nuk do të dëshironte ta luante, sidomos nga spanjollët, të cilët kanë frikën se mos zhgënjejnë përsëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë