Facebook i ka shpallur luftë qeverisë australiane, për një projektligj që e detyron kompaninë që të paguajë mediat për lajmet që shpërndahen në këtë rrjet social. Duke filluar prej ditës së enjte, gjiganti amerikan i teknologjisë ka bllokuar plotësisht shpërndarjen e informacioneve dhe lidhjeve (link) për australianët.
Ky vendim është kritikuar nga kompanitë e prodhimit të informacionit, politikanë dhe aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të njeriut si absurd dhe mizor në kohë pandemie, duke bllokuar edhe faqet zyrtare të shëndetësisë.
“Veprimet e vendimet e Facebook duke bllokuar shërbimet informative thelbësore dhe shërbimet e emergjencës janë sa arrogante, aq edhe zhgënjyese”, shkroi në Facebook, kryeministri australian, Scott Morrison.
Sipas Morrison këto vendime vetëm sa konfirmojmë dyshimet dhe shqetësimet e shprehura nga shumë vende të botës mbi sjelljen e kompanive Big Tech, që mendojnë se janë mbi qeveritë dhe se ligjet nuk duhet të zbatohen tek to.
Projektligji australian kërkon nga Facebook dhe Google që të arrijnë marrëveshje me mediat për shpërndarjen e informacioneve në të dyja platformat, ose të përballet me gjobë në të kundërt. Ai u kundërshtua fillimisht edhe nga Google. Të dyja kompanitë kërcënuan me ndërprerjen e shërbimeve të tyre në Australi. Por, Google u tërhoq pas nënshkrimit të marrëveshjeve me kompanitë kryesore mediatike australiane, ndërsa Facebook jo.
Facebook tha përmes një deklarate se projektligji në fjalë, që pritet të miratohet nga Parlamenti australian brenda pak ditësh “keqkupton thelbësisht” mënyrën sesi funksionon ky rrjet social dhe marrëdhënien që ka me mediat, duke nënkuptuar se asnjë media nuk është e detyruar që të shpërndajë informacione në platformën e tij.
Kompania e Mark Zuckerbeg thotë se lajmet përbëjnë vetëm 4 për qind të asaj se çfarë shohin përdoruesit e platformës, duke hedhur poshtë edhe një studim të Universitetit të Canberra-s, sipas të cilit 21 për qind e australianëve përdorin këtë media sociale si burim kryesor informimi.
Megjithëse e konsiderueshme, kjo shifër është e moderuar në krahasim me vende të tjera, ku Facebook është burim kryesor informimi, sipas studimit të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në vitin 2015, ku përllogaritej në 50 për qind, shifër që supozohet se ka ardhur edhe më shumë në rritje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje