Gazeta Si – Australia ka tërhequr vendimin e marrë 4 vjet më parë për të njohur Jeruzalemin Perëndimor si kryeqytet të Izraelit.
Vendimi i Kanberras, i vitit 2018, ka dëmtuar paqen dhe e ka vendosur Australinë jashtë hapit të shteteve tjera, ka thënë ministrja e Jashtme australiane, Penny Wong.
Ajo ka theksuar se Australia mbetet “mike” e Izraelit. Ambasada e saj do të qëndrojë në Tel Aviv.
Statusi i Jerusalemit është ndër çështjet më kontestuese në mes të Izraelit dhe palestinezëve.
Ministria e Jashtme izraelite, ka shprehur “zhgënjimin e thellë” ndaj vendimit të Australisë dhe do të marrë në pyetje ambasadorin e këtij shteti, kanë raportuar mediat izraelite.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump është kritikuar në nivel global më 2017, kur e ka ndryshuar politikën amerikane, duke njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Ambasada amerikane është zhvendosur nga Tel Avivi në Jeruzalem, në maj të vitit 2018.
Disa muaj më vonë, ish-kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se qeveria e tij do të veprojë njëjtë.
Morrison tha se Australia do ta njohë Jeruzalemin Perëndimor menjëherë, mirëpo nuk do ta zhvendosë ambasadën derisa të ketë marrëveshje për paqe. Qeveria e Morrisonit i humbi zgjedhjet në maj të këtij viti.
Ministrja e Jashtme, Penny Wong, e ka quajtur vendimin e qeverisë së kaluar si “lojë cinike” për të fituar votat e hebrenjve para zgjedhjeve.
Kosova, Hondurasi dhe Guatemala janë shtetet e vetme, përveç Shteteve të Bashkuara, që kanë ambasadat në Jeruzalem.
Aktualisht edhe Mbretëria e Bashkuar është duke shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes së ambasadës në këtë qytet.
Izraeli e konsideron Jeruzalemin si kryeqytet “të pandarë”, derisa palestinezët pretendojnë se Jeruzalemi Lindor – i pushtuar nga Izraeli në luftën e vitit 1967 – do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.
Statusi i Jerusalemit është në qendër të konfliktit izraelito-palestinez. Sovraniteti i Izraelit mbi Jeruzalemin nuk është njohur kurrë ndërkombëtarisht.
Sipas marrëveshjeve për paqe të vitit 1993, mes izraelitëve dhe palestinezëve për statusin final të Jeruzalemit, palët do të diskutojnë në fazat tjera të bisedimeve për paqe./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje