Sport

“Australian Open”. Federer kalon me lehtësi, Sharapova eliminon Vozniackin

Roxher Federer, në formë shumë të mirë, është kualifikuar pa probleme për në fazën e 1/8-ve të “Australia Open”. Ai mundi në tre sete amerikanin Tejlor Fric. Në këtë ndeshje, çatia e “Rod Laver Arena” ishte e mbyllur për shkak të shiut. Setet përfunduan 6-2, 7-5 dhe 6-2 në favor të maestros zviceran, që e mbylli ndeshjen për 88 minuta. Federer bëri gjithçka që donte në setin e parë, duke mos i dhënë asnjë shans tenistit amerikan. Në setin e dytë ky i fundit tentoi të bënte diçka ndryshe me gjuajtjet e drejta, por pa ia arritur qëllimit. Seti i tretë ishte i ngjashëm me të parin. Federer e mbylli ndeshjen me 10 ejs dhe 3 faulle të dyfishtë. Ndeshja shkoi ashtu siç do të donte 6 herë kampioni i “Australia Open”.

Në turin e radhës Federer do të ndeshet me Stefanos Cicipas, i cili kaloi pas katër setesh gjeorgjianin Nikoloz Basilashvili (6-3, 3-6, 7-6 dhe 6-4). Ndeshja u vendos nga seti i tretë, që pati shumë rivalitet. Cicipas ishte në avantazh 3-0 dhe 5-2, por gaboi në momentin që do të mbyllte ndeshjen. Ka kaluar turin edhe Tomas Berdish (5-7, 6-3, 7-5 dhe 6-4) ndaj argjentinasit Diego Shvarcman.

Maria Sharapova, pas fitores ndaj Vozniacki

Te femrat, Maria Sharapova ka arritur ndoshta fitoren më të rëndësishme që kur është kthyer në tenis, pasi mundi Karoline Vozniackin, kampionen në fuqi, pas tre setesh. Vazhdon ëndrra e australianes Ashlei Barti, e cila kaloi 7-5 dhe 6-1 greken Maria Sakari. Në turin tjetër ajo do të ndeshet pikërisht me Maria Sharapovën. Është kualifikuar edhe Amanda Anisimova, e cila i la vetëm 5 sete bjelloruses Arina Sabalenka (6-3 dhe 6-2). Rusja Anastasia Pavlushenkova kaloi me lehtësi 6-0 dhe 6-3 bjellorusen Aliaksandra Sasnoviç.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë