Rafael Nadal është i pari që ka arritur në çerekfinale të “Australia Open”. Tenisti spanjoll ka mundur në tre sete Tomas Berdych, 6-0, 6-1 dhe 7-6. Një ndeshje që shkoi shumë mirë për Nadalin, i cili është dukur në formë të shkëlqyer, edhe pse nuk luante që nga shtatori i vitit të kaluar, kur u tërhoq në gjysmëfinalen ndaj Del Potros në “USA Open”.
Rafa Nadal tregoi “dhëmbët” menjëherë, duke e fituar bindshëm setin e parë, 6-0. Në setin e dytë ai i dha vetëm një shans kundërshtarit, por pa e vënë në diskutim fitimin e këtij seti. Në setin e tretë Berdych provoi të reagonte, duke e mbajtur për herë të parë një gem me zero. Tenisti çek rezistoi, pasi edhe Nadal e uli pak ritmin, duke gabuar në ndonjë top, madje duke i dhënë dhe mundësinë për të fituar setin kundërshtarit, por ky ishte rreziku i vetëm për spanjollin në këtë ndeshje. Për 2 orë e 5 minuta, Nadal ia ka dalë të regjistrojë prezencën e 11-të në çerekfinale të “Australia Open”, pas atyre të viteve 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2014, 2015, 2017 dhe 2018.

Të martën Rafael Nadal do të luajë në çerekfinale ndaj amerikanit Frances Tiafoe, i cili ka eliminuar pas katër setesh sfilitës Grigor Dimitrov: 7-5, 7-6, 6-7 dhe 7-5. Një ndeshje e mundimshme, që zgjati 3 orë e 39 minuta. Data 20 janar do të mbetet në memorien e Tiafoe, i cili, ditën e 21-vjetorit të lindjes, ka arritur kualifikimin e parë në çerekfinale të një turneu të madh. Dhe jo rastësisht. Ai ka luajtur me shumë inteligjencë dhe e ka kërkuar fitoren nga pika e parë deri tek e fundit, duke rikuperuar tri situata mjaft të komplikuara. Në një moment ia ka dalë të shpëtojë nga tre set point.
Tenisti amerikan është surpriza më e bukur e turneut. Ai ka pasur edhe ngërç muskujsh në fundin e ndeshjes dhe ka kërkuar ndihmën e fizioterapistit në një situatë delikate, kur Dimitrov kryesonte 5-4. Tiafoe shtrëngoi dhëmbët dhe fitoi 12 nga 14 pikët e fundit, duke treguar personalitetin e një kampioni të vërtetë. Amerikani e mbylli ndeshjen me 10 ejs, kurse Dimitrovit nuk i mjaftuan 21 ejse. Tiafoe është tenisti më i ri amerikan që shkon në çerekfinale të këtij turneu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





Lini një Përgjigje