Politike

Austria këmbëngul: Hapja e negociatave me Shqipërinë, në interes të BE-së

Pavarësisht zhgënjimit që mbizotëron në rajon pas shtyrjes së fillimit të bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Austria ka premtuar sot se do të punojë për integrimin e të dyja vendeve.

Duke komentuar bllokimin e negociatave, Ambasada Austriake thotë në një përgjigje për Gazetën Si se Vjena do të vazhdojë të mbështesë intensivisht Shqipërinë në procesin e pranimit në BE .

Sipas ambasadës, çështja e negociatave do të rikthehet në tryezë pas marrjes së presidencës  së BE-së nga Sllovenia, e cila do të mbajë në korrik një samit me liderët e unionit por edhe ata të Ballkanit, në mënyrë që të nxisë integrimin e rajonit.

“Përpjekjet do të vazhdojnë edhe nën Presidencën Sllovene të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti”, thotë ambasada për gazetën Si. “Kjo është në interes si të BE-së ashtu edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor. BE nuk do të ishte e plotë pa vendet në këtij rajoni.”

Pak ditë përpara shtyrjes së negociatave, Austria mblodhi në Vjenë liderët e Ballkanit, por kryeministri  Edi Rama ishte i vetmi që refuzoi ftesën duke dërguar në vend të tij  ministren Belinda Balluku.  Reagimi i Austrisë, e cila ka bërë vazhdimisht thirrje për nisjen e bisedimeve me vendin tonë, vjen ndërkohë që shumë diplomatë europianë kanë shprehur zhgënjimin e tyre për shtyrjen e negociatave duke e quajtur si “të dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Sipas tyre, ky është një gabim strategjik, i cili do ta dobësojë edhe më shumë imazhin e BE-së në rajon.Disa diplomatë evropianë kanë kërkuar që, çështjet e hapura bilaterale, të cilat mund të ketë ndonjë shtet anëtar i BE-së me ndonjë vend të rajonit të Ballkanit, nuk duhet të përdoren për bllokimin e procesit të zgjerimit dhe nuk duhet të jenë fare pjesë e këtij procesi.

Ndërkohë asnjë nga vendet në rajon nuk janë duke fshehur zhgënjimin për përpjekjet e dështuara për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, para përfundimit të presidencës portugeze të BE-së.

Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për këto dy shtete kandidate, si kusht për të hapur negociatat.

Bullgaria nuk ka hequr dorë nga bllokada e një vendimi të tillë ndërkohë që disa shtete tjera anëtare të BE-së, kanë qenë kundër idesë që negociatat të nisin vetëm, me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë