Komunitet

Austria me masa ekstreme, s’ka bare e restorante për të pavaksinuarit

Qyteti i Vjenës në Austri ka vendosur masën ekstreme të ndalimit të hyrjes nëpër restorante, kafene dhe evente publike me më shumë se 25 persona të pranishëm të të githë atyre që nuk janë të vaksinuar kundër Covid.

Vendimi është marrë për shkak të rritjes së fortë të rasteve të reja që autoritetet kanë raportuar në ditët e fundit. Austria ka vaksinuar rreth 64 për qind të popullsisë së saj. Shifra është mbi mesataren e Bashkimit Europian, por është më e ulta mes vendeve të Perëndimit.

Shumë austriakë janë skeptikë e ngurrues ndaj vaksinave edhe për shkak të qëndrimit të Partisë së Lirisë, një parti e ekstremit të djathtë që për nga pesha elektorale është e treta më e madhja në Parlament.

Infektimet e reja ditore arritën ne mbi 8500 raste të enjten, ose 32 për qind më shumë se të mërkurën, duke iu afruar kështu rekordit historik të mbi 9 mijë rasteve të regjistruara në nëntorin e vitit të kaluar.

“Është me rëndësi që të marrim masa para se njësitë e trajtimit intensive të mbushen plot”, tha kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig.

Nga nëntë provincat e Austrisë, Vjena ka rastet më të ulta të reja me Covid, pjesërisht se sepse ka masat më të ashpra kufizuese, por gjithashtu ka edhe numrin më të lartë të të shtruarve në njësitë e trajtimit intensive, me rreth 21 për qind.

Qeveria ndërkohë po diskuton një plan për të vendosur të pavaksinuarit në izolim dhe kufizime të tjera ditore ndaj tyre në rast se të gjithë 600 shtretërit e njësive të trajtimit intensive do të mbushen me pacientë.

Sipas planit, të gjithë personat e pavaksinuar, me përjashtim të atyre që e kanë kaluar Covid brenda 3 muajve të fundit, do t’u ndalohet hyrja në kafene, restorante dhe ambiente të tjera publike me më shumë se 25 persona të tjerë që në momentin kur numri i personave që marrin trajtim intensive shkon në 500.

Aktualisht, numri i pacientëve në këto njësi është 352 persona dhe po rritet me mbi 10 të tjerë çdo ditë. Të enjte, mbi 45 për qind e rasteve të reja u regjistruan në Salzburg dhe Austrinë e Epërme, kjo e fundit e njohur si një bastion i Partisë së Lirisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë