Politike

Autoriteti i Dosjeve: Nuk po verifikojmë Metën! Akuzat për manipulim, të pabazuara

Autoriteti i Dosjeve thotë se as mund të publikojë dhe as t’u japë informacion mediave në lidhje me dosjen e Sigurimit të Shtetit, duke cituar si pengesa parashikimet në ligjin për dosjet dhe në ligjin për të drejtën e informimit.

Sipas parashikimeve të këtyre ligjeve, këto të dhëna mund t’i sigurojnë vetëm personat e përfshirë, apo çdo palë e prekur e përmendur në këtë dosje.

“Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur”, thuhet në deklaratë.

Autoriteti deklaron se as ai i Ilir Metës dhe as rastet e referuara Kuvendit nuk janë objekt verifikimi, për shkak të pengesës ligjore të cituar më herët dhe se është në pritje të ndryshimeve ligjore të propozuara, për të kryer kërkimet dhe verifikimet përkatëse për rastet.

Në të njëjtën deklaratë hidhen poshtë akuzat e Metës se Autoriteti ka manipuluar, kriminalizuar e sajuar dosjen për llogari të Edi Ramës.

“Autoriteti nuk ndikohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij për informim dhe vijon punën, bazuar në ligjshmëri, transparencë, mbrojtje të së drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtje të të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunim mes institucioneve shtetërore”

Gjithashtu, Autoriteti thotë se “kanë qarkulluar shumë interpretime mbi informacionin e përcjellë nga institucioni. Autoriteti përgënjeshtron lajmet që referojnë vendime dhe dosje të shtetasve të ndryshëm, (si ai nr. 227, datë 27.05.2022) pjesë e punës së përditshme, të publikuara rregullisht në faqen zyrtare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë