Gazeta Si – Nëntë avionë luftarakë kinezë kaluan këtë të premte “vijën e mesme” të ngushticës së Tajvanit, duke kryer patrulla në një modalitet “të gatshëm për luftim”, tha Ministria e Mbrojtjes së Taipeit.
Çdo vend në botë do të ishte në alarm në një situatë të ngjashme. Por Tajvani është ndryshe.
Për Kinën, është një provincë për t’u vënë nën kontroll, për t’u ribashkuar me bindje politike ose me forcën e armëve.
Formalisht, shumica dërrmuese e qeverive botërore pranojnë se ka vetëm një Kinë dhe nuk e konsiderojnë Tajvanin një shtet (pavarësisht nga fakti se ishulli demokratik kontrollon territorin e tij, ka institucione të qëndrueshme politike dhe prodhon monedhën e vet).
Kjo është arsyeja pse inkursioni i shumëfishtë nga avionëtluftarakë kinezë pothuajse nuk është lajm.
Nga ana tjetër, tani është një aktivitet rutinë, Forca Ajrore Kineze dërgon avionët e saj rreth ishullit në baza ditore.
Që nga gushti i kaluar, Pekini ka shkuar një hap më tej, duke urdhëruar pilotët e tij të kalojnë të ashtuquajturën vijë mesatare të ngushticës, një lloj pellgu ujëmbledhës që ka mbajtur njësitë ushtarake kineze dhe tajvaneze në një distancë të sigurt për dekada.
Në gusht 2022, Republika Popullore e Kinës reagoi me dhjetë ditë “lojëra lufte” ndaj zbarkimit të kryetares së Dhomës Amerikane Nancy Pelosi në Taipei: avionët dhe anijet me flamurin e kuq kaluan vijën mesatare duke zbatuar një bllokadë ‘de facto’ detare.
Pekini kërcënon me reprezalje edhe tani, për shkak të kalimit në territorin e Shteteve të Bashkuara të presidentes tajvaneze, Tsai Ing-wen.
Epara e shtetit u ndal në Nju Jork në rrugën e saj për një vizitë në Guatemalë dhe ishujt Belize (të cilat njohin Tajvanin si shtet).
Dhe më 7 prill, gjatë kthimit, ajo duhet të takohet me kryetarin e ri të Dhomës, Kevin McCarthy, në Los Anxhelos.
Kina ka paralajmëruar si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe presidencën tajvaneze, duke njoftuar “përgjigje adekuate”.
Përgjigja e presidentes Tsai nuk vonoi: “Bota mund të shohë se Tajvani po sillet me përgjegjësi, ndërsa Pekini po kërkon justifikime për të rritur tensionet”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje