Në konferencën e tij të dytë për mediat këtë të hënë, presidenti Ilir Meta doli për të denoncuar ato që ai i quajti “fakte tronditëse” në lidhje me çështjen e patronazhistëve të PS.
Gjatë fjalimit të tij, Meta tha se çdo 3-4 orë do të ketë lajme të reja në lidhje me patronazhistët, të cilët sipas tij, gjurmojnë dhe përndjekin qytetarët, deri dhe vajzën e tij të vogël.
Presidenti solli rastin e një biznesmeni që sipas tij, është kërcënuar dhe gjobitur vazhdimisht për shkak të një fotoje të Monika Kryemadhit, postuar në rrjetet sociale.
“Ditën e shtunë marr një mesazh nga një qytetar që nuk e kisha në celular. Përshëndetje! Jam Erion Mane. Kam diçka shumë serioze në lidhje me patronazhistët, më thotë. Sa për të qeshur po aq edhe për të qarë. ‘Kam kaq kohë që biznesi im vetëm kërcënohet dhe gjobitet herë pas here. Dhe sot zbulova arsyen e vërtetë dhe personin. Patronazhistin dhe bashkëpunëtorin e tij’ mw tha, – tregon Meta, i cili vijon. – I them, a ta publikoj me lejen tuaj, se thashë mos ishte ndonjë patronazhist, ndonjë provokim. ‘Dua të përballem në emision të drejtëpërdrejt me ndihmën tuaj për këto çështje. Nuk më tremb asgjë’ më tha. As gjobat e këtyre horrave. Të gjobitesh në 2021 pse ke nxjerrë një foto të një politikaneje është të shkosh e të kërkosh azil’”.
Presidenti Meta është shprehur se patronazishtët nuk kanë kursyer as vajzën e tij të vogël, për të cilën thotë e ka pikë të dobët.
“Më ngacmojnë dhe gocën e vogël, që e kam pikët të dobët dhe para pak ditësh kur dhashë një intervistë, i kishin çuar patronazhistët një lajm, të një agjensie lajmesh. Sikur unë kisha sulmuar gruan e zotit Gjiknuri dhe ajo më thotë: ‘Babi, të lutem mos pi më’! Se i thonë patronazhistët që unë pi shumë. Dhe humbas qetësinë dhe humbas kontrollin. ‘Babi mos pi më, të lutem. Babi nuk ke pse merresh me gruan e tjetrit’, më thotë mua. Jo moj të keqen babi, nuk jam marrë me gruan e tjetrit. Ja shikoje dhe më dërgon lajmin. Shoh lajmin unë “ta marr vesh Damiani me Gruan e tij”. Oh! Ç’është ky lajm?! Mos kam bërë ndonjë lapsus?! Jo të keqen babi, unë thashë Damiani me Gurunë e tij. Marrë Tedin urgjent, çfarë është ky lajm? Se unë nuk merrem as me gratë e të tjerëve, as me gratë e shokëve…! Se i dinë pikat e dobëta. I thonë thuaj babit të qetësohet, thuaj babit të mos pijë shumë, thuaj babit të ruajë figurën e presidentit”, – nënvizoi kreu i shtetit.
Në fund, Meta deklaroi se “fuks-shteti ka përfunduar përgjithnjë në Republikën e Shqipërisë. “Mos i dorëzoni liritë dhe të drejtat tuaja. Qytetarët të mos pranojnë të poshtërohen për çdo postim në rrjetet sociale. Ditët në vijim do të shohim edhe raste më të rënda. Patronazhitstët janë një skemë mafioze, për të cilët unë do të kërkoj hetimin e kësaj çështjeje”, – përfundoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje