Gazeta Si – Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bah, ka thënë se është tronditur shumë nga prova e ruses Kamila Valieva në finalen e patinazhit të lirë, kur ajo u rrëzua disa herë dhe u duk në presion të fortë pas skandalit të dopingut dhe marrjes së medaljes së artë me çdo kusht.
“U trondita shumë kur e pashë në televizor”, – ka pohuar Bah, sipas të cilit patinatorja 15-vjeçare u trajtua me një ftohtësi të tmerrshme nga trajnerët e saj pas provës së pasuksesshme që e la jashtë podit.

“Duke e parë të luftonte në akull, kuptova se si përpiqej me të gjitha forcat të përfundonte programin e saj. Mund të kuptosh gjuhën e trupit në çdo lëvizje, mund të ndjesh se ishte një stres mental shumë i madh. Po kur pashë si u trajtua nga njerëzit e saj më të afërt, me atë ftohtësi të tmerrshme, ishte ulëritëse.
Në vend që ta inkurajonin, në vend që ta ndihmonin, u distancuan. Nëse shohim gjuhën e trupit, është edhe më keq, sepse kishte edhe gjeste përçmimi”, – u shpreh Bah, i cili ka shtuar se CIO do të rishohë rregullat për limitin e moshës për kompeticionet e të rriturve.

Bah tha gjithashtu se do të diskutohet edhe fakti, nëse për sportistët minorenë mund të ketë të njëjtat sanksione antidoping me sportistët e rritur. Për të gjitha këto, kreu i CIO-s pranoi se duhet një studim shumë i kujdesshëm.
Pas gabimeve që e renditën në vend të 4-t, Valieva, në lot dhe e tronditur, u kthye në vendin e saj për të pritur votimin, kurse trajnerja e saj, Eteri Tutberidze, në mënyrë të përsëritur e pyeste: ‘Pse e le të të ikte, pse? Ma thuaj…”, duke mos pasur asnjë interes për gjendjen emotive të 15-vjeçares.
Bah ka thënë se shpreson që Valieva të ketë mbështetjen e familjes, të miqve të saj dhe të personave që duan ta ndihmojnë në këtë situatë ekstremisht të vështirë. Sipas tij, CIO i ka kërkuar Agjensisë Botërore Antidoping (Vada-s) që të hetojë trajnerët dhe konsulentët e Valievës.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetasri rus, nëse CIO ka ndonjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur me Valievën, Bah u shpreh: “Ka pasur një kampion A pozitiv, që duhet parë, nuk e kemi injoruar. Kemi të bëjmë me një minorene, një vajzë 15 vjeç, që ka një drogë në trupin e saj. Nuk duhej ta kishte dhe ata që e kanë futur këtë drogë në trupin e saj janë fajtorë”.
Kampioni i 25 dhjetorit rezultoi pozitiv ndaj trimetazidinës, një substancë që përdoret për zemrën, por u ndalohet sportistëve, sepse rrit rezistencën. KAS-i vendosi se Valieva mund të garonte në Pekin, por ky vendim nuk e liron nga dopingu, që u zbulua vetëm në fillim të Lojërave dimërore dhe pasi Valieva kishte ndihmuar rusët të fitonin titullin e patinazhit në skuadër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje