Futboll

Bajerni i zakonshëm, mund Unionin dhe i largohet Borusias

Bajerni nuk gabon në rinisjen e kampionatit dhe nuk lë shpresë për rivalët. Me fitoren 0-2 në fushën e Union Berlinit, bavarezët shkojnë në 4 pikë para Borusia Dortmund, që të shtunën ishte afruar në 1 pikë. Robert Levandovski mezi priste t’i përgjigjej Erling Haland. Polaku shënoi golin e parë në minutën e 40-të me penallti, i 26-ti për të në këtë kampionat.

Pavard dyfishoi me kokë 10 minuta para fundit. Edhe Tomas Myler realizoi në pjesën e parë, por pas një verifikimi të gjatë me VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje. Një faull i Subotiç ndaj Goretzkas bëri që arbitri të akordonte penallti dhe Levandovski u tregua i saktë nga pika e bardhë. Unioni në këtë ndeshje nuk kishte në stol trajnerin Urs Fisher, pasi ai u detyrua të braktiste grumbullimin-karantinë për shkak të një fatkeqësie në familje.

Lojtarët rezervë të dy skuadrave u sistemuan në tribunë, në vendin pas pankinave respektive. Në çdo ndërrim, lojtarëve që linin fushën u jepej një maskë. Masat e sigurisë në këtë ndeshje ishin më të shumta se rastet për gol. Me këtë fitore, Bajerni mbetet në krye të Bundesligës me 58 pikë, ndërsa Union Berlin mban vendin e 12-të me 30 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë