Futboll

Bajerni ngec për rinovimet, përplasje me senatorët Nojer dhe Alaba

Para fillimit të pandemisë së koronavirusit, Karl-Hajnc Rumenige, administratori i deleguar i Bajern Mynih, kishte premtuar se për rinovimet me titullarët e ekipit nuk do të kishte asnjë lloj reduktimi. Ditët e fundit kanë ardhur dy rinovime të rëndësishme, fillimisht trajneri Flik (kishte ende kontratë si zëvendëstrajner) që ka firmosur deri në 2023-shin, pastaj Tomas Myler, një nga më të paguarit, edhe ai deri në 2023-shin.

Së shpejti pritet të rinovojë mesfushori Tiago, por te bavarezët nuk janë të gjithë të kënaqur. Drejtuesit e Bajernit duhet të zgjidhin dy çështje mjaft të rëndësishme me dy nga senatorët e skuadrës, Manuel Nojer dhe David Alaba. Të dyve u skadon kontrata në vitin 2021 dhe të dy e kanë refuzuar propozimin e parë për rinovimin e kontratës.

Për portierin gjerman çështja është më tepër strategjike. Bajerni ka marrë nga Shalke 23-vjeçarin Aleksander Nubel, i konsideruar si më i talentuari në rolin e tij. Vjen në korrik me parametra zero dhe ideja është që të jetë zëvendësuesi i Nojerit për pak sezone, tre maksimumi, por klubi ka hasur në kërkesën e portierit aktual për të rinovuar deri në vitin 2025, kur Manuel do të jetë 39 vjeç. Duhet gjetur një kompromis, që të mos pengojë edhe rritjen e Nubelit, që përfaqëson të ardhmen e klubit.

Nojer dhe Alaba, dy titullarët e Bajernit. Gazeta Si, 18 prill 2020

Delikate është edhe situata me Alabën. Prokuratori i tij, Pini Zahavi, në këtë moment nuk mund të shkojë në Gjermani, jo vetëm për shkak të koronavirusit. Agjenti i mbrojtësit është i bindur se Bajerni duhet të bëjë hapin e parë dhe të bëjë një ofertë me rritje page. Austriaku përfiton nga 4 deri në 6 milionë, më pak se Myler dhe Hernandez, që këtë sezon kanë luajtur më pak se ai. Trajneri Flik e quan Alabën liderin e mbrojtjes dhe dëshiron ta mbajë, por lojtari nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për të tentuar një eksperiencë në një kampionat tjetër.

Austriaku nuk ka si qëllim të largohet me parametra zero dhe për të ka dy zgjidhje në këtë moment: e para të lërë Bajernin në verë, duke i lejuar klubit të përfitojë financiarisht, e dytë të rinovojë. Duhet thënë se Alaba e ka refuzuar ofertën e parë të Bajernit rreth dy javë më parë. Vërtet Rumenige ka thënë se kontratat e rinovuara nuk do të kenë asnjë reduktim, por Alaba, i cili aktualisht përfiton 11 milionë euro në sezon, dëshiron rritje page dhe për të dalë nga kjo situatë bavarezët duhet të bëjnë një sforco ekonomike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë