Futboll

Bajerni shet 100 mijë maska në një ditë, të ardhurat për bamirësi

Bajern Mynih ka shitur më shumë se 100.000 maska me ngjyrat dhe logon e tij për 24 orë, siç bën me dije vetë klubi bavarez në faqen e tij zyrtare. Një sukses i jashtëzakonshëm dhe deri diku i papritur. Bajerni, në fakt, u ka kërkuar tifozëve të vet mirëkuptim, duke qenë se për shkak të numrit të lartë të porosive, koha e shpërndarjes do të jetë disi e gjatë.

Të ardhurat nga shitja e maskave do të shkojnë për një platformë donacionesh të krijuar nga dy futbollistët e Bajernit, Xhoshua Kimish dhe Leon Gorecka, të cilët mbështesin institucionet e bamirësisë që janë përfshirë në luftën ndaj koronavirusit. Që prej së dielës, në Bavari është e detyrueshme që të mbahen maskat në transportin publik dhe në dyqane.

Prezantimi i maskave nga Rumenige dhe Kimish. Gazeta Si, 25 prill 2020

“Me këtë nismë duam të tregojmë se FC Bajern bën gjithçka për të qenë një model i disiplinës në luftën kundër koronavirusit, pas apelit për këtë çështje nga kryeministri bavarez, Markus Sëder”, – ha deklaruar presidenti i këshillit administrativ të klubit të madh gjerman, Karl-Hajnc Rumenige. “Në të njëjtën kohë, – vazhdon ai, – jemi krenarë të japim një kontribut për iniciativën e Kimish dhe Gorecka”.

Maskat janë realizuar me shallet që Bajerni kishte planifikuar të shpërndante në “Allianz Arena” gjatë ndeshjes së kthimit në Ligën e Kampionëve ndaj Çelsit, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të klubit. Maskat për fëmijë kushtojnë 5.95 euro, kurse ato për të rritur 6.95 euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë