Futboll

Bajerni zyrtarizon blerjen e dytë, 80 milionë euro për kampionin e botës

Nga njëri kampion bote te tjetri. Bajerni i Mynihut ka bërë zyrtarisht edhe blerjen e dytë për sezonin e ri. Pas Benzhamin Pavard, klubi i madh gjerman ka arritur marrëveshjen edhe me francezin tjetër, Lukas Hernandez. Të dy janë mbrojtës dhe në Botërorin e Rusisë ishin titullarët e Francës në krahët e prapavijës.

Një goditje e rëndësishme e Bajernit, që me anë të faqes zyrtare ka bërë të ditur blerjen e Lukas Hernandez nga Atletiko e Madridit. Ajo që bie në sy ka të bëjë me faktin se për këtë futbollist klubi gjerman ka shpenzuar 80 milionë euro për blerjen e kartonit nga Atletiko. Një rekord sa i takon blerjes së një mbrojtësi në kampionatin gjerman, ku këto shifra janë të pazakonta. Mbrojtësi francez i krahut të majtë ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Bajernin, që sistemon kështu krahët me dy kampionë bote, duke nisur revolucionin e paralajmëruar nga presidenti Uli Hënes.

Klubi bavarez zyrtarizon blerjen e Lukas Hernandez

Në komunikatën zyrtare të Bajernin përmendet edhe një dëmtim që është vënë re gjatë vizitave mjekësore të Hernandez. Bëhet fjalë për një problem në ligamentin e këmbës së djathtë dhe pas konsultave me drejtuesit e Atletikos, është vendosur që Hernandez të operohej menjëherë. Francezi do të jetë i gatshëm për bavarezët që në fillim të sezonit të ardhshëm. Me ardhjen e Pavard, i blerë nga Shtutgarti për 35 milionë euro, dhe tani të Hernandez, Bajerni ndryshon repartin e mbrojtjes. Sipas asaj që ka thënë Hënes, nga klubi bavarez pritet të largohen mbrojtësit Rafinja, Boateng dhe Humels.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë