Futboll

Bajerni zyrtarizon Pavard, kontratë 5-vjeçare me kampionin e botës

Bajerni i Mynihut ka bërë një përforcim të rëndësishëm për të ardhmen, ka marrë kampionin e ri të botës, Benzhamin Pavard. Klubi bavarez e kishte shprehur prej kohësh interesin për mbrojtësin e krahut të djathtë të Shtutgartit dhe tani gjithçka ka marrë formë zyrtare. Por mbrojtësi do të bashkohet me ekipin e ri në muajin korrik.

Pavard, një lojtar i datëlindjes 1996, ra në sy gjatë Botërorit të Rusisë, ku ishte titullar në formacionin e Francës, kampione e botës. Madje, goli i tij ndaj Argjentinës u shpall më i bukuri i këtij kompeticioni. Vlera e këtij mbrojtësi u rrit ndjeshëm dhe interesimi për të ishte i madh nga klube të ndryshme. Njoftimin zyrtar për blerjen e francezit e ka bërë Hasan Salihamixhiç, drejtori sportiv i Bajernit, duke konfirmuar me anë të rrjeteve sociale të klubit mbylljen me sukses të marrëveshjes.

Salihamixhiç konfirmon blerjen e Pavard

“Mund të konfirmoj se Pavard do të vijë më 1 korrik të 2019-ës te Bajerni. Ka firmosur një kontratë 5-vjeçare dhe jemi të lumtur për këtë. Ai është një lojtar i ri, kampion bote, ndaj dhe jemi krenarë që arritëm të sjellim në klub një lojtar me vlera”, – ka deklaruar Salihamixhiç. Futbollisti 22-vjeçar do ta mbyllë këtë kampionat me Shtutgartin dhe më pas do të veshë fanellën e ekipit më të madh gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë