Politike

Pakt me Alibeajn? “Më jep Avokatin e Popullit, të miratoj amnistinë fiskale…” Çfarë paralajmëroi Taulant Balla pas mbledhjes së grupit  

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla, tha pas mbledhjes së grupit se opozita mund të propozojë sërish kandidatin për Avokatin e Popullit, por jo me identikitin e kandidaturës së parë që u rrëzua në fund të muajit dhjetor nga mazhoranca.

Ndryshe nga herët e tjera, Balla tha se emri nga ana e opozitës nuk mund të jetë vetëm ekskluzivitet i saj.

“Propozimi nuk mund të jetë ekskluzivist. Fakti që opozita nuk mbështeti kandidaturat që i paraqiti vetë, tregon që nuk respekton kandidatët që sjell vetë. Mënyra më e mirë do ishte kur opozita propozon një numër, 4 ne zgjedhim 2, dhe ne biem dakord për ata të dy. Por, fakti që opozita u soll në mënyrë të papërgjegjshme, bojkotoi procesin e votimit të kandidatit të propozuar nga ata, na bëjnë të kuptojmë që opozita s’është serioze. Pra, mendoj që procesi i shpalljes së interesit do jetë një proces i hapur dhe i pandikuar.

Na duhet një Avokat Populli jo avokat partie, atëherë ne shkojmë në dialog me opozitën. I kanë votat këta? Nuk i kanë, se duhen dhe votat e mazhorancës” tha Balla.

Thënë këtë,  Balla dha më tej një qëndrim interesant kur foli për domosdoshmërinë e miratimit të një tjetër nisme për ta siç është amnistia fiskale që do 84 vota aq sa miratimi i Avokatit të Popullit, që e kërkon opozita.  Propozimi i Ballës për pakt te dyanshëm ishte i hapur.

“Kemi diskutuar edhe për çështje të tjera që lidhen me mbështetjen në Kuvendin e Shqipërisë të një nisme të fuqishme që është Amnistia Fiskale apo edhe ligje të tjera të rëndësishme. Kuvendi i ka votat për të miratuar çdo ligj, unë nuk mendoj që është korrekte që të shprehem sot se deputetet e opozitës nuk e kanë lexuar ligjin për amnistinë fiskale. Ligji i bën mirë ekonomisë së vendit.

Mos u nxitoni se nuk janë votat. Ligji për amnistinë nuk bëhet me procedurë të përshpejtuar. E rëndësishme që do të miratohet në këtë sesion.

Avokati i Popullit kërkon 84 vota. As ne nuk i kemi votat për ta zgjedhur e sikurse do dialogojmë për të siguruar mbështetjen për ligjin për Amistinë Fiskale e njëjta duhet të ndodhë dhe nga krahu tjetër për të siguruar votat për Avokatin e Popullit”, u shpreh Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë