Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, mori pjesë në Asamblenë e Unionit Ndërparlamentar në Doha, në Katar, e cila mblodhi së bashku anëtarë nga më shumë se 170 parlamente të botës, nën moton “për Demokracinë, për këdo”.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Balla deklaron se në fokus të diskutimeve ishte bashkëpunimi ndërparlamentar, ndërsa në veçanti me deputetë të vendeve anëtare të BE si Gjermania, Italia, Rumania, Greqia u diskutua lidhur me hapat e hedhura nga Shqipëria në procesin e integrimit Europian.
Gjithashtu, gjatë punimeve të Asamblesë Balla është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Internacionales Socialiste, Luis Ayala, ku ka shkëmbyer mendime mbi hapat e hedhura nga Shqipëria në procesin e integrimit Europian si dhe krizën aktuale politike në Shqipëri.
Ayala është shprehur se opozita në Shqipëri, një vend çdo ditë e më shumë pranë BE, ka zgjedhur rrugën e akteve vandale, protestave të dhunshme dhe djegien e mandateve si veprim të paprecedentë në Europë.
“Në asnjë prej 170 vendeve të Unionit Ndërparlamentar nuk ndodh që opozita të djegë mandatet e popullit në mënyrë aq të papërgjegjshme siç bënë PD dhe partia tjetër më e vogël (LSI) në Shqipëri. Në vend që të bënin opozitë duke kritikuar dhe sjellë alternativën e vet, opozita në Shqipëri, një vend çdo ditë e më shumë pranë BE, ka zgjedhur rrugën e akteve vandale, protestave të dhunshme dhe djegien e mandateve si veprim të paprecedentë në Europë. Opozita mund të kritikonte ashpër qeverinë në Kuvend, madje mund të organizojë edhe protesta paqësore në rrugë, por ajo ka zgjedhur largimin e pakthyeshëm nga asambleja e popullit dhe sulmet e dhunshme ndaj këtij institucioni, por siç jam informuar kanë dhunuar edhe të zgjedhurit në Parlamentin shqiptar. Kjo është jo vetëm dëshmi e qartë e një sjellje anti-institucionale, por edhe një përpjekje për të penguar progresin e arritur nga Shqipëria, sidomos në rrugën e anëtarësimit në BE.
Qoftë dorëheqjet nga mandatet e popullit, qoftë dhuna e opozitës janë të motivuara nga interesi i ngushtë i drejtuesve aktualë të opozitës në Shqipëri, interes i cili nuk ka asgjë të përbashkët me interesin e Shqipërisë dhe as atyre shqiptarëve që kanë votuar opozitën”, është shprehur sekretari i Përgjithshëm, Ayala.
Ndërkaq, Balla gjatë këtij takimi është shprehur se kryedemokrati Lulzim Basha është i frikësuar nga humbja e radhës, pasi ka probleme serioze brenda partisë.
“E vërteta është se opozita, e gjendur në nivelin më të ulët të mbështetjes elektorale (çka vërtetohet edhe nga sondazhet e ndryshme), është e frikësuar nga zgjedhjet e ardhshme vendore. Më i frikësuari është Basha, i cili rrezikon të përballet me humbjen e tretë radhazi, çka do i hapte probleme serioze brenda në parti. Pikërisht prandaj opozita është e gatshme të bëjë çdo gjë, duke përfshirë aktet e dhunshme, bojkotin përfundimtar të institucioneve, cenimin e imazhit të Shqipërisë, rrezikimin e hapjes së negociatave me BE apo ngadalësimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik”, është shprehur Balla gjatë takimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje