Politike

Balla: Kërkesa e Metës për Papajorgjin nuk është e bazuar në Kushtetutë dhe ligj

Ndaj lëvizjes së fundit të Ilir Metës për Gjykatën Kushtetuese, ka reaguar edhe kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla.

Përmes një postimi në Facebook, Balla shkruan se argumenti i Metës për të kërkuar masë disiplinore ndaj një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese nuk është i bazuar në Kushtetutë dhe ligj.   

“Presidenti i Republikës duke u përpjekur të cenojë integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe të vendim-marrjes së saj, po vijon veprimet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Akte këto, të cilat sollën dhe shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.

Është mëse qartë që vendimet e një procesi në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të jenë në përputhje me “interesat” e një kërkuesi apo grupeve të cilat preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e ligjin, ndaj “pala e pakënaqur” nuk duhet të ndërmarrë akte të cilat pengojnë dhe vënë në provë sistemin e garancive të pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të një vendi.

Nëpërmjet kësaj kërkese të pabazuar, Presidenti i Republikës, kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me zhvillimin e proceseve të ardhshme pranë Gjykatës Kushtetuese, për të penguar, apo bllokuar zhvillimin e tyre…”, shkruan Balla

Më tej ai nënvizon: “Reforma në Drejtësi ka krijuar dhe po vijon të krijojë “shqetësime” të vazhdueshme dhe për rrjedhojë do të shoqërohet me reagime apo presione me mjete joligjore, me të cilat organet e reja të sistemit të drejtësisë duhet të përballen.

Çdo zyrtar publik duhet t’i përmbahet me përpikmëri  Kushtetutës dhe ligjeve, në mënyrë që të justifikojnë besimin e gjerë të publikut në Reformën e Sistemit të Drejtësisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë