Politike

PS e ka shumicën kushtetuese, 97 deputetë pro shkarkimit të Metës

Që Kuvendi do të miratonte ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta kjo ishte thuajse e sigurtë. E pasigurtë pas 25 prillit ishte mbështetja që do t’u jepte socialistëve në këtë nismë ajo që njihet tashmë si “opozita parlamentare”.

Votimi i propozimit të Komisionit të Ligjeve për ngritjen e Komisionit Hetimor “Meta 2” e zbuloi edhe këtë mister. Plot 97 deputetë kanë votuar pro ngritjes së Komisionit dhe vetëm gjashtë e kanë kundërshtuar atë.

Shifra e mbështetjes sugjeron se socialistët kanë një kuorum komod plus 3 mandate nga kufiri prej 94 mandatesh i vendosur nga Kushtetuta, për ta përdorur me gjasë në fillim të muajit korrik nëse komisioni hetimor i ngritur do të propozojë shkarkimin e Presidentit.

Socialistët janë të bindur se Presidenti Ilir Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën me deklaratat dhe qëndrimet e mbajtura para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar dhe shkarkimin e tij kërkojnë edhe mbështetjen e Partisë Demokratike, megjithëse ajo nuk është pjesë e këtij Kuvendi.

Por, duke iu referuar listave të kandidatëve në zgjedhjet e 25 prillit, Taulant Balla kërkoi nga Lulzim Basha që të mbështesë nismën për shkarkimin e Metës përmes dy deputetëve të opozitës parlamentare, Korab Lita dhe Artur Roshi, që në zgjedhje garuan nën siglën e PD-së, por pa mundur që të fitojnë.

“Thirrja jonë shkon edhe për Lulzim Bashën. Tashmë PD ka në këtë sallë deputetët që garuan në listat e saj më 25 prill. Do të ishte në nderin e tyre të na bashkoheshin në këtë nismë”, deklaroi Balla.

Mes rreshtave, kreu i grupit parlamentar socialist la të hapur derën që në këmbim të mbështetjes për shkarkimin e Metës, Partisë Demokratike t’i lihet propozimi i emrit për pasuesin e tij.

“Kushdo që mendon se procedura e shkarkimit ka të bëjë me një dëshirë të mazhorancës për të kapur institucionin e Presidencës e ka shumë gabim. Nuk kemi asnjë lloj interesi për të marrë institucionin e Presidentit të Republikës”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar socialist foli në seancën plenare ku në rend ditë është edhe propozimi i Komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

“Meta 2”, çfarë mund të hetojë komisioni i ri parlamentar

Nga deklaratat e vetë kryesocialisti Rama dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Qeverisë dhe të Partisë Socialiste, elementi i parë objekt hetimi mund të jetë qëndrimi i mbajtur nga Ilir Meta gjatë fushatës zgjedhore. Për socialistët, Presidenti shkeli Kushtetutën me të dyja këmbët me aktivitetet dhe deklaratat e tij, duke u bërë palë me opozitën.

Elementi i dytë janë deklaratat e bëra nga kreu i shtetit gjatë fushatës zgjedhore. “Po u prek një votë ditën e votimeve u bëj thirrje qytetarëve që t’i mprehin sfurqet, se si gratë trime të Libofshës do t’i ndjekim këmba-këmbës horrat, nëse nuk kanë kuptuar gjë akoma”, deklaronte Presidenti pas një incidenti të ndodhur në ditën e fundit të fushatës në qytetin e Fierit, kur policia bashkiake hoqi banderolat e LSI-së.

Më herët Presidenti kishte folur gjithashtu për “prerje duarsh” për këdo që blinte votën, apo tjetërsonte në forma të tjera vullnetin e shqiptarëve. Këto deklarata socialistët i kanë interpretuar si “nxitëse të dhunës” dhe shkelje të rendit kushtetutes.

Elementi i tretë që mund të jetë objekt hetimi në mënyrë të posaçme janë deklaratat e bëra nga Presidenti Ilir Meta kundër Ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim, të cilën po para zgjedhjeve të 25 prillit e akuzoi se është bërë palë me Edi Ramën. Presidenti u përpoq të diferencojë qëndrimet e Yuri Kim nga qëndrimet zyrtare të Departamentit të Shtetit. Por, këto deklarata mund të interpretohen nga socialistët si kërcënim për marrëdhëniet me SHBA dhe partneritetit strategjik të nënshkruar me të.

Elementi tjetër që mund të jetë objekt hetimi janë edhe dyshimet e hedhura publikisht nga socialistët, përfshirë këtu edhe vetë Edi Ramën, se Presidenti është takuar gjatë fushatës me personazhe të botës së krimit. Në lidhje me këtë akuzë, në disa media ka qarkulluar një foto, ku Presidenti Meta shfaqet në Gjirin e Lalëzit i mbuluar me kapuç në kokë dhe në shoqëri të një personi tjetër.

Meta shpjegoi se kapuçin e vendoste pasi bënte sauna, ndërsa gjatë një konference për shtyp nxorri edhe personin, që sipas tij, e shoqëronte në tavolinë në momentin kur është bërë ajo foto.

Këta janë elementët kryesorë ku mund të bazojë hetimin e tij komisioni i mundshëm “Meta 2”, ndërsa “Meta 1” hetoi për thuajse një vit vendimin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe përplasja për rendin kohor të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Në raportin e dorëzuar për miratim në seancën plenare të 27 korrikut të vitit të kaluar, Komisioni i drejtuar nga Ulsi Manja gjeti “shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit”, por nuk i klasifikoi ato si “mjaftueshëm të rënda” sa për ta shkarkuar atë, duke ndjekur edhe rekomandimin e bërë nga Komisioni i Venecias.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë