Politike

Balla: Më 19-20 korrik presim të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një takim të zhvilluar në Athinë ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të mbahet javën e ardhshme 19-20 Korrik.

“Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 Korrik) është një lajm i mirë, por të mos harrojmë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeo-politike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrainës”, komenton Balla në Facebook rreth takimit të zhvilluar.

Sipas Ballës mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE.

“Ndërsa nuk e kuptoj pse edhe Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE”, shkruan Balla.

Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur në takim, Balla theksoi se Procesi i Berlinit prej tetë vitesh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërsa Ballkani i Hapur, sipas tij, është instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë