Politike

Balla: S’tolerohen më ndërhyrjet e deputetëve. Të arrestohet djali e vëllai i Rrahman Rrajës

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Brendshëm i sapoemëruar, Taulant Balla tregoi prioritetet duke theksuar ndërhyrjet e të tretëve në çështjet e policisë, përfshirë deputetët s’do të tolerohen më.

“Kush nuk do të tregojë gatishmërinë për të punuar së bashku për të shkuar përtej vetes, për ta rritur kontributin do ta ketë të pamundur të qëndrojë në pozicionin që ka. Besoj që nëse do bëhej një garë se kush e kupton dhe vlerëson rolin e deputetit do isha pretendent serioz për ta fituar. Kush do pranojë ndërhyrje nga deputetë për çdo lloj aspekti nuk do mund të paraqesë asnjë justifikim për të qëndruar në detyrë. Deputeti ka për detyrë t’ju drejtohet për çdo shqetësim. Deputeti kërkon t’i kthehet përgjigje brenda çdo afati. Kur them këtë për deputetin, ndërhyrja e kujtdo tjetër është e papranueshme, respekt maksimal për këdo, respekt, përzierje në asnjë rast dhe mënyrë. Është një standard nga kryeministri që në mbledhjen e parë, me theks të përshtatshëm në Policinë e Shtetit”, u shpreh Balla.

Para të gjithë drejtuesve të policisë, Balla tha se policia ende nuk ka kryer punën e saj lidhur me ngjarjen e Krujës: arrestimin e djalit dhe vëllait të ish-deputetit Rrahman Rraja.

“Në takimin e parë që kam zhvilluar me drejtorin e përgjithshëm dhe të Tiranës kërkesa ime e parë ishte arrestimi i vëllait dhe djalit të ish deputetit të Fushë Krujës, i cili është miku dhe ish kolegu im Rrahman Rraja. Ai u  vetëndëshkua moralisht por policia ende nuk ka bërë detyrën e saj për të ndëshkuar dy individët që kanë vendin para drejtësisë një orë e më parë. Gurorja nxorri dështimin e  komisariatit në atë zonë, ku policia ishte tolerante ndaj paligjshmërisë”, tha ministri i Brendshëm.

Ai përmendi dhe kultivimin e kanabisit të paligjshëm në vend, si një fenomen që ekziston sepse “një polic apo një shef policie paguhet për të mos i parë e për të mos i shkulur”.

Ministri Balla shtoi se një ndër qëllimet e tij është edhe përmirësimi i standardit të jetesës së policëve, sidomos atyre që shërbejnë larg vendbanimit dhe familjeve të reja.

“Do kujdesem posaçërisht për rritje të standardit të jetesës së punonjësve të policisë. Që nga kushtet financiare, deri tek kushtet e strehimit. Mbështetja, për ata që krijojnë familje të reja, apo që punojnë jashtë vendbanimit. Nga nesër nisim trajtimin e çështjes se banimit për ata punonjës policie që jetojnë jashtë zonë së vendbanimit. Do të hapet aplikimi për 100 banesat e para”, tha Balla, i cili shtoi se për kriteret e aplikimit, do të jetë Ministria e Financave që do ti bëjë publike ato.

Në fund, ministeri Balla përmendi kodin e Etikës së policisë si një kod që është harruar dhe nuk respektohet më, por do të nisë rifuqizimi i saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë