Socialistët janë përpjekur t’i rezistojnë tundimit për të interpretuar e komentuar përplasjet e brendshme në Partinë Demokratike, që kulmuan me dhunën e 8 janarit.
Megjithatë, disa prej tyre nuk ja kanë dalë mbanë. Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në një dalje para gazetarëve tha fillimisht se shpresonte që këto përplasje të mos ndikonin në punën e grupit parlamentar demokrat në Kuvend.
“Ngjarja në selinë e PD, kurrsesi dhe në asnjë aspekt s’mund të ndërlidhet me grupin parlamentar të Partisë Demokratike dhe rolin që ai ka si grupi më i madh opozitar në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar të socialistëve i kujtoi prokurorisë dy kallëzime penale që janë dorëzuar, duke i kërkuar që të hetojë Sali Berishën.
“Në 2017, Kuvendi i ka çuar Prokurorisë një raport hetimor për aferën korruptive të privatizimit të OSSH, ku në krye të kësaj skeme ka qenë Sali Berisha dhe ende sot, ky perosn i kallëzuar nga Kuvendi i Shqipërisë nuk është thirrur në prokurori për këtë çështje”, tha Balla.
Kallëzimi i dytë është bërë nga vetë Balla si deputet i Kuvendit.
“Para 14 muajsh kam dorëzuar kallëzimin tjetër për privatizimin e kompleksit Partizani, që iu shit nga shteti familjarëve të Berishës për shifrën qesharake prej 100 mijë eurosh”, u shpreh Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje