Politike

Ballkani i Hapur, von der Leyen: Mirëpritet nëse nuk bie ndesh me Procesin e Berlinit

Çdo nismë rajonale që nuk bie ndesh Procesin e Berlinit mbështetet nga Bashkimit Europian. Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen tha nga Shqipëria se Brukseli nuk kundërshton Ballkanin e Hapur, për sa kohë ky projekt është në përputhje me rregullat dhe standardet e BE.

“Çdo nismë që është brenda Procesit të Berlinit dhe që sjell bashkëpunimin mirëpritet prej nesh. Ne nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por kontekstin ku propozohet dhe që duhet të jetë një proces i hapur, gjithëpërfshirës që thellon marrëdhëniet mes vendeve dhe ekonomive të rajonit, që të ketë integrim të thellë të ekonomive”, tha Presidentja e KE në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

Por, pse zyrtarisht BE duket si e rezervuar në mbështetjen për këtë nismë? Përgjigjen e dha Edi Rama.

“Sepse kur shohin që ne këtu jemi të ndarë jo na duhet Ballkani i Hapur, jo s’na duhet Ballkani i Hapur, ata (BE) zgjedhin që të qëndrojnë neutralë”, tha Rama.

“Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet dhe do të jetë hapësira që të gjithë do të vijnë, kush më shpejt dhe kush më vonë. Është interes strategjik dhe është mekanizmi që bën edhe Procesi i Berlinit”, tha Rama.

Von der Leyen nisi nga Shqipëria turin e vizitave të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo vizitoi disa projekte të investuara nga BE, në kuadër të procesit të rindërtimit të pasojave të tërmetit. Në lidhje me pandeminë, Presidentja e KE tha se Shqipëria ka tërhequr 230 mln euro në formën e granteve dhe kredive të buta.

Shifra është vetëm 10 për qind e shumës që BE ka vënë në dispozicion për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për zbutjen e pasojave të shkaktuara nga pandemia.

BE, theksoi von der Leyen ka dhënë deri më tani rreth 430 mijë doza vaksinash për Shqipërinë dhe paralajmëroi se të tjera do të vijnë. Ajo tha se ekziston edhe mundësia që Shqipëria të zgjedhë që të përdorë financimet e BE për programin e saj të vaksinimit.

Sa për negociatat, Presidentja e KE tha se Shqipëria e ka kryer detyrën e saj dhe tashmë BE duhet të kryejë detyrën e vet dhe të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare.

“Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e saj. Tani jemi ne ata që duhet të bëjmë detyrat tona, pjesën tonë. Ky është borxhi që i kemi Shqipërisë, të rinjve, rinisë shqiptare”, tha ajo.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk mund të ushtrojë asnjë formë presioni ndaj Bashkimit Europian, sepse BE është e vetmja rrugë për ne.

“Nuk mund t’i bëjmë presion BE se nuk kemi ku të shkojmë tjetër. Ne jemi në dashuri me BE. Këta janë lodhur nga dashuria me njëri-tjetrin dhe sa ta kalojnë këtë fazë të jeni të sigurt që do bashkohemi e do jetojmë të lumtur”, tha ai.

Presidentja e Komisionit foli edhe për projektet infrastrukturore. Ajo tha se BE ka gati 9 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor, para që mund të përthithen nga vendet e rajonit përmes projekteve zhvillimore. Shqipëria ka paraqitur dy projekte, atë të lidhjes hekurudhore me Malin e Zi dhe projektin e rehabilitimit të Hidrocentralit të Fierzës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë