Zv/kryeministrja Belinda Balluku vijoi ditën e sotme në Kuvend këshillat për kursimin e energjisë elektrike duke i kërkuar opozitës të bashkohen në një thirrje për qytetarët.
“Kemi nisur një fushatë për kursimin e energjisë. Nga thirrjet ndaj qytetarëve deri te vendosja e paneleve diellore. Bëhuni pjesë e fushatës për kursimin e energjisë. Do ishte mirë të dalim të gjithë bashkë për t’i bërë thirrje qytetarëve për të kursyer energji.
Në vend që të dilni këtu që të gënjeni mendojeni njëherë të dalim bashkë dhe t’i kërkojmë familjarëve të kursejmë. Sot më shumë se çmimi është problem gjetja e sasive energjetike. Nuk ka asgjë të keqe t’i thoni fëmijëve të fikin dritat, të mbyllin derën e frigoriferit dhe të ulin kondicionerin në 21 gradë”, deklaroi ajo.
Balluku ironizoi opozitën duke deklaruar se në rast se do kishin qenë ata në pushtet në kushtet e krizës ekonomike do e kishin ulur automatin për qytetarët për t’i lënë ata në errësirë.
“Prite zot kiametin të kishit qenë ju këto katër vite. Sot do kishin qenë njerëzit akoma në çadra. Çfarë do kishte ndodhur nëse do kishit qenë ju në krye në kohën e pandemisë? Kur dilnit dhe bënin thirrje që të dilnim në rrugë pa maska. Një sfidë me jetën dhe vdekjen!”, tha ajo.
Balluku iu përgjigj dhe deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili i tha se “Skavicën duhet ta harrojë dhe se Dibrën mund ta përmbysë vetëm kur të ngrihet Beqir Balluku nga varri”, duke përmendur gjyshin e saj.
“Do të ndërtohet Skavica, është projekt pjesë e Kaskadës së Drinit, që e copëtuat e bëtë fije-fije. Tre kompanitë që do i nënshtrohen taksës së jashtëzakonshme, njëra prej të cilave ka hidrocentralin që i dhatë ju, ka fituar shumë para. Duhet që këto para t’i ktheje përmes një takse të jashtëzakonshme, që e kanë aplikuar shumë vende të tjera.
Të ardhurat shkojnë në të mirë të qytetarëve, s’ka nevojë të vini këtu dhe të mbroni këto kompani që e kanë të qartë se kjo taksë duhet vendosur. Thatë shifra që nuk janë të vërteta, lexoni shifra që nuk di ku i gjeni, nga ndonjë punonjës jashtë Vaut të Dejës me shumë mundësi”, shtoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje