Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se tetë shqiptarë janë akuzuar për trafikimin e 1.8 ton kokaine në Gjermani përmes kutive të bananeve. Ai është konsideruar si gjyqi më i madh i kokainës në historikun e Republikës Federale Gjermane dhe ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme mediatike.
Prokurorët në qytetin Landshut kanë thënë të mërkurën se banda shqiptare transportonte kokainë nga Ekuadori në Hamburg përmes kutive me banane. Autoritetet janë alarmuar në vitin 2017, pasi shumë kuti me banane, me përmbajtje kokaine, janë parë në disa markete të qyteteve të Bavarisë.
Në një supermarket në Kiefersfelden, pranë kufirit gjermano-aistriak, u kapën 228 kilogramë kokainë, aq sa konsumohet në gjithë Mynihun për dy vite. Hetimet zbuluan se kokaina kishte hyrë në kutitë e bananeve në Ekuador dhe prej andej dërgohej në adresë të një kompanie me seli në Gjermani. Shqiptarët duket se hynin më pas në depot ku ruheshin frutat dhe vidhnin aty kokainën, e cila arrinte deri më 320 kg për çdo vjedhje.
Bandat vinin enkas nga Shqipëria. Gjatë periudhës së survejimit të depove, Enti Bavarez i Kriminalistikës kishte regjistruar gjithsej tetë vjedhje në depo staxhionimi në Bavari, Hessen, Nordrajn-Vestfali dhe në landin e Zarës. Videot e përgjimit tregojnë se disa nga vjedhësit kishin qenë të armatosur.
Grupi kontrollohej dhe drejtohej, me sa duket, nga Hamburgu, ku njëri prej të akuzuarve kryesorë, Dario L. (21 vjeç), kishte marrë një banesë me qira. Në këtë banesë hetuesit më vonë gjetën edhe faturat për bananet. I ri shqiptar supozohet të jetë marrë me logjistikën e bandës, kurse Klajdi D. (25 vjeç) merrej me organizimin e vjedhjeve. Udhëheqësi i grupit mendohet të ketë qenë 40-vjeçari shqiptar, Alberto K. Hetuesia i kishte survejuar pjesëtarët e bandës teksa studionin depot e staxhionimit ku do të bënin vjedhjet. Veç kësaj ishin përgjuar edhe biseda nga takimet e anëtarëve të bandës në një kafene të Hamburgut.
Në prill policia gjermane vendosi të kryejë goditjen e parë në mbarë Gjermaninë. U kontrolluan apartamente banimi në Ahrensburg, Hamburg dhe Hannover, ku u gjetën dy revole dhe mbi 30 mijë euro cash. Katër anëtarë të bandës u dënuan në dhjetorin e vitit të kaluar në Hamburg, në një gjyq më vete, pasi ishin kapur teksa transportonin 180 kg kokainë nga Hamburgu në Holandë. Ata kanë marrë dënime me nga disa vjet burg, por prokuroria e Hamburgut ka paralajmëruar se do ta dërgojë vendimin në Apel, sepse masa e dënimit kishte qenë shumë e ulët.
Persona të tjerë që kanë të bëjnë me këtë grup, të cilët gjenden në Shqipëri, në Holandë dhe në Amerikën e Jugut, nuk janë kapur ende.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje