Ka përfunduar 2-2 finalja e parë e Kupës Libertadores në stadiumin “Bombonera” mes Boka Zhuniorsit dhe River Plejtit. Emocione të mëdha në një atmosferë fantastike. Golit të Abilas për Bokën iu përgjigj menjëherë ish-lojtari i kësaj skuadre, Prato. “Punëtorët” kaluan sërish në avantazh me Benedeton, por i pafati Izkuierdoz shkaktoi autogol, i detyruar nga Prato. Portieri Armani ishte “heroi” i Riverit, teksa në fund shpëtoi skuadrën e tij nga humbja.
Vendimtare do të jetë ndeshja e dytë finale, që do të luhet në stadiumin “Monumental” të River Plejtit, më 24 nëntor. Ndeshja e parë u luajt 24 orë me vonesë, për shkak të motit të keq. Në një “Bombonera” të tejmbushur, Boka luajti me skemën 4-3-3, ndërsa Riveri u rreshtua me skemën 3-5-2. Pavon, nga i cili Boka priste shumë, sapo fitoi ritmin e ndeshjes, u dëmtua dhe i la vendin Benedetos. Abila shënoi në minutën e 34-t, por pas pak sekondash miqtë barazuan me Praton. Në këtë moment “Superclasico” shpërtheu dhe më pas ishte betejë për çdo top. Boka shkoi në pushim me avantazhin 2-1, por në pjesën e dytë Riveri pati fat dhe barazoi me autogolin e Izkuierdoz.
Në fundin e ndeshjes u ndje lodhja dhe aksionet ishin më të ngadalta, por atmosfera në shkallët e stadiumit mbeti e njëjtë. Në 20 minutat efundit hyri në fushë edhe veterani Karlos Tevez, i cili i dhuroi një top të artë Benedetos në minutën e fundit, por Armani e bllokoi. Pas 15 ditësh luhet në “Monumental”, ku Riveri është favorit, pas barazimit me 2 gola në fushë kundërshtare.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje