Futboll

Barça fiton Kupën e Mbretit, Mesi rekordesh dhe trofeu i parë për Koeman (video)

Mbrëmje për kornizë për Mesin me shokë, të cilët kanë mundur në finale Atletiko Bilbaon 0-4, duke fituar Kupën e Mbretit për herë të 31-të, falë një prej paraqitjeve më bindëse që pas ardhjes së Koeman në stol. Trajneri holandez ka marrë hak për humbjen në Superkupë, duke festuar kështu trofeun e parë në krye të stolit katalanas.

Për Lionel Mesin, protagonist me një dygolësh, vjen një tjetër rekord, ai numrit më të lartë të trofeve të fituar në Katalonjë, 35 të tillë. Barcelona konfirmon edhe një herë se ka një “feeling” special me trofeun e Kupës së Mbretit, që e fiton për herë të 6-të në 10 vitet e fundit. Baskët nga ana tjetër humbin finalen e dytë brenda dy javësh.

Atletiko aplikon lojën me mbrojtjen poshtë dhe topa të gjatë për të rrezikuar me Raul Garsian dhe sidomos me Uilliams, ndërsa Muniain vepron në të majtë. Te Barcelona, Grizman fiton balotazhin me Dembele, kurse në mbrojtje kthehet Pike, që u rikuperua në kohë. Pjaniç përfundon në tribunë dhe duket një zgjdhje e fundit e trajnerit holandez.

Kuptohet shpejt se baskët do ta kishin të vështirë, Barcelona “fshen” topin dhe krijon hapësira për të vënë në provë Unai Simon. Presioni mbi mbrojtjen e Atletikos rritet ndjeshëm, Mesi, Grizman, Pedri dhe Buskets ndalen nga reflekset e Unai Simon. Por fortesa baske bie pas një ore rezistencë: Mesi lëviz mirë dhe nis në thellësi De Jong, i cili pason në qendër për Grizman dhe francezi devijon saktë.

Barcelona tregon më pas forcën e saj, De Jong dyfishon dhe Mesi mbyll llogaritë me një dopietë pas dy të majtash precize në minutat 68′ dhe 72′. “Pleshti” fiton trofeun e 35-të blaugrana, duke i thyer një tjetër rekord Ksavit. Në pritje për të zgjidhur dilemën e së ardhmes, argjentinasi ka dhënë një mesazh të fortë për popullin katalanas, duke i dhuruar një mbrëmje të paharrueshme dhe një tjetër trofe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë