Futboll

“Barcelona do fitonte dhe pa të”, Stoiçkov shigjeton Guardiolën

Barcelona e krijoi Pep Guardiolën, apo tekniku katalanas e ka bërë këtë skuadër në 12 vitet e fundit kjo që është? Sipas sulmuesit Hristo Stoiçkov, ish-shok skuadre me Guardiolën, Pep ka qenë me shumë fat, sepse kur mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Frenk Rajkard, e gjeti gjithçka gati.

Pas largimit të Gurdiolës, Barcelona ka fituar vetëm një Ligë Kampionësh, por, paradoksalisht edhe trajneri katalanas nuk ka shkuar asnjëherë në finale me skuadrat që ka drejtuar pasi la “Camp Nou”-n. Me sa duket, paska pasur një përfitim reciprok puna mes klubit të madh spanjoll dhe trajnerit në fjalë. Një mendim ndryshe ka bullgari Hristo Stoiçkov, ish-shok skuadre me Guardiolën dhe fitues i “Topit të Artë”.

Stoiçkov ka deklaruar për “Mirror” se kur mori drejtimin e Barcelonës, Guardiola kishte shumë më tepër shanse të fitonte se të dështonte. “Barcelona në atë kohë ishte solide, e ndërtuar me shumë kujdes dhe nuk kishte asnjë mangësi. Puna e Guardiolës ka qenë shumë e thjeshtë, aq më tepër që njihte në mënyrë perfekte infrastrukturën e “Masia”-s. Skuadrën që ai mori në duar e ndërtoi Frenk Rjajkard. Ata lojtarë do të arrinin rezultatet spektakolare me apo pa Pep Guardiolën. Në skuadër ishin Henri, Deko, Ronaldinjo, Markuez, Pujol dhe Viktor Valdes. Guardiolës i duhej vetëm ndonjë lojtar tjetër, më pas erdhën Injesta, Pedro dhe Mesi po luante më shumë. Pra, skuadra ishte e kompletuar”, është shprehur bullgari.

Guardiola dhe Mourinjo, kur ishin te Barcelona. Gazeta “Si”, 11 maj 2020

Një diskutim tjetër Stoiçkov bën për Mourinjon, i cili ka qenë asistenti i Bobi Robson dhe Van Gal në “Camp Nou” në periudhën 1996-1998. “Mourinjo ishte një djalë inteligjent, shikonte gjithçka me shumë kujdes, nga stërvitja fizike dhe ushtrimet e nxemjes te puna që bënim me topin. Gjithmonë kishte në duar letër dhe laps dhe nuk bënte gjë tjetër, veçse mbante shënime”, – thotë Stoiçkov.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë