Tani janë 26 tituj. Barcelona shpallet kampione e Spanjës në javën e 35-të të kampionatit, pas fitores 1-0 ndaj Levantes, me golin e Lionel Mesit në pjesën e dytë. Katalanasit kanë festuar titullin 3 javë para fundit të kampionatit. Atletiko Madrid është 9 pikë prapa, por Barcelona favorizohet nga ndeshjet direkte, kështu që shampanja është hapur që të shtunën në mbrëmje. Trajneri Ernesto Valverde ka fituar titullin e parë në stolin e katalanasve.
Siç ndodh gjithmonë në “Camp Nou”, Barcelona kishte nën kontroll lojën. Mesi dhe Buskets e nisën nga stoli, pasi trajneri Valverde mendoi t’i kursejë për ndeshjen e Championsit me Liverpulin. Arthur ishte në mbështetje të dyshes sulmuese Koutinjo-Suarez, që nuk mundi ta gjente rrugën e rrjetës. Gjatë 25 minutave të para portieri i Levantes bëri 6 pritje vendimtare. Në pjesën e parë katalanasit vuajtën pak dhe u desh të futej në fushë Lionel Mesi, i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 62-të me një gol mjaft të bukur, pas një pasimi të Vidal. Levante mund të barazonte, por Morales, i vetëm përballë portierit Ter Shtegen, gjuajti keq. Vidal dhe Mesi kanë pasur shanse për të dyfishuar, por pa ia arritur qëllimit, ndërsa në fund duhet përmendur një rast i Enis Bardhit, i cili gjuajti fluturimthi në zonë dhe tronditi shtyllën e Barcelonës. Vërshëllima përfundimtare zyrtarizoi katalanasit kampionë të Spanjës për herë të 26-të. Në 11 kampionatet e fundit, Barcelona ka fituar 8 tituj.

Gjithçka nën shenjën e Leo Mesit, i cili fiton 2 tituj çdo 3 kampionate. Argjentinasi ka fituar titullin e 10-të në Spanjë, në 15 kampionate me fanellën e Barcelonës. Një arritje historik për sulmuesin 31-vjeçar. Të paktë janë futbollistët si ai, që kanë ndryshuar futbollin dhe fatin e një klubi, siç kanë bërë më parë Di Stefano me Realin, Johan Krojf me Barcelonën dhe Franc Bekembauer me Bajernin. Ndoshta këtë herë Mesi e kishte më të lehtë, pasi i mungonte rivali i përjetshëm, Kristiano Ronaldo. Të mërkurën luhet ndeshja e parë gjysmëfinale në Champions League me Liverpulin, një nga katër ndeshjet e mbetura të Barcelonës për të kompletuar tripletën historike.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje