Barcelona është në krizë të thellë, ashtu si Mesi. Mungojnë rezultatet, loja dhe paratë. Lavdia e viteve të fundit duket një kujtim dhe kuptohet që kohë të vështira do të vijnë për katalanasit në fushë dhe jashtë saj. Nuk duket vetëm fundi i një cikli, por i një ere, megjithatë situata mund të ndryshojë.
Më 24 janar do të bëhen zgjedhjet presidenciale të parakohshme, për shkak të dorëheqjes së Josep Maria Bartomeut. Kandidatët, që për momentin janë 9, duhet të mbledhin 2257 firma dhe mbi të gjitha duhet të paraqesin një buxhet personal mbi 100 milionë euro. Ka nisur ndërkohë fushata elektorale dhe ish-presidenti Joan Laporta e ka filluar me një “goditje”.

Ai nuk mund të premtojë blerje të mëdha, ndaj dhe ka vendosur të përqendrohet te krenaria e plagosur e katalanasve. Për këtë arsye, “goditjen” e ka bërë në zemër të madridizmit. Këtë mëngjes Madridi është zgjuar me një poster gjigant të Laportës së buzëqeshur, i vendosur në një pallat dy hapa larg stadiumit “Santiago Bernabeu”.
Një sfidë e hapur ndaj Realit, me një slogan të tipit “Casa de papel”: “Dëshirë për t’iu takuar sërish”. Diçka që sjell në memorie 6-2-shin e 2009-ës në “Bernabeu”, apo edhe 5-0 e një viti më pas në “Camp Nou”. Ishte Barcelona e Guardiolës, Ksavit, Injiestës dhe Mesit më të mirë, protagonistëve të asaj skuadre të ndërtuar nga Laporta. Nuk jetohet me kujtime, por kujtimet mund të ndihmojnë për rilindjen.
Posteri i madh i Laportës ka sjellë reagime në Spanjë, si në Barcelonë, ashtu edhe në Madrid. Provokimi ka qenë i goditur, perfekt, në vendin e duhur. Në mungesë të parave, kandidatit për president i mbetet kreativiteti. Nëse merr kompetencat, sigurisht si do të gjejë edhe mënyrat për ta bezdisur Madridin. “Për të mbajtur Mesin duhet fantazi financiare”, – ka thënë Laporta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje