Futboll

Barcelona shumë e fortë për Juventusin, Morata i mallkuar nga VAR-i

Juventusi është treguar shumë “bujar”, duke lënë hapësira përballë një Barcelone që nuk fal. Në Torino kanë triumfuar katalanasit 0-2, me golat e Dembele në pjesën e parë dhe Mesit në të dytën me penallti. Ndeshja nuk u ngjit në spektaklin e pritshëm, ndërsa spanjollët kanë marrë atë që donin dhe tani udhëheqin grupin me 6 pikë pas 2 ndeshjesh të luajtura.

Nga ndeshja Juventus-Barcelona, 0-2. Mesi në aksion. Gazeta Si, 28 tetor 2020

Ishte një mbrëmje e mallkuar për sulmuesin e Juventusit, Alvaro Morata, të cilit iu anuluan tre gola nga VARI-i për pozicion jashtë loje. Skuadra e trajnerit Pirlo, i cili ka pësuar humbjen e parë, e mbylli ndeshjen me 10 vetë, pasi mbrojtësi turk Demiral u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë 5 minuta para fundit. Juventusi nuk po arrin ta kalojë krizën e lojës dhe të rezultateve mes kampionatit dhe Championsit. Pavarësisht mungesës së Kristiano Ronaldos, diçka nuk shkon te bardhezinjtë.

Dominimi anglez ka vazhduar edhe mbrëmjen e sotme, ku Çelsi ka fituar 0-4 në fushën e Krasnodarit, kurse Mançester Junajtid ka mundur 5-0 gjermanët e Lajpcigut. Lacio barazoi 1-1 në fushën e Bryzhit, por Tomas Strakosha ishte jashtë skuadrës, ashtu si shumë titullarë të tjerë, që qëndruan në Itali. Borusia Dortmund mundi 2-0 Zenitin, kurse PSG-ja fitoi me të njëjtin rezultat në Turqi me Bashakshehirin.

Rezultatet e ndeshjeve të dyta në grup
Bashakshehir-PSG 0-2
Krasnodar-Çelsi 0-4
Bryzh-Lacio 1-1
B.Dortmund-Zenit 2-0
Ferencvarosh-Dinamo Kiev 2-2
Juventus-Barcelona 0-2
Mançester U.-Lajpcig 5-0
Sevilja-Renes 1-0


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë