Asnjë gol dhe shumë nervozizëm në “Sanchez Pizjuan” të Seviljes, ku Barcelona barazoi 0-0 për javën e 30-të të kampionatit. Pak raste goli për katalanasit, të cilët vuajtën presionin e Seviljes për gati një orë. Skuadra vendëse ishte më bindëse në lojë dhe Barcelonën e shpëtuan vetëm reflekset e Ter Shtegen. Portieri gjerman ishte vendimtar në të paktën tre raste.
Zhgënjeu në këtë ndeshje Suarez, ndërsa Mesi e ka shtyrë takimin me golin e 700-të në karrierë. Kjo ndalesë mund t’i kushtojë kreun Barcelonës, pasi mund të barazohet me pikë me Realin, që luan të dielën ndeshjen e tij. Katalanasit kanë 65 pikë, kurse Reali 62. Pa De Jong, i cili vuan një dëmtim muskulor, trajneri Setien hodhi në fushë Vidal dhe Rakitiç në krah të Buskets, ndërsa Braithuejt kompletoi treshen e sulmit me Mesin dhe Suarezin, duke lënë në stol Grizmanin.
Sevilja është shfaqur mjaft agresive dhe Mesi e Suarez ishin lojtarët më të shënjestruarit e ndërhyrjeve të ashpra të lojtarëve vendës, të cilët u toleruan më shumë se sa duhet nga gjyqtari Gonzalez. Këto ndërhyrje kanë sjellë nervozizëm te katalanasit, të cilët pak herë kanë rrezikuar, ndërsa në fund kanë shpëtuar mirë nga rastet e Seviljes dhe mund të jenë të kënaqur edhe me barazimin. Tani ata duhet të bëjnë tifo për Real Sociedad, që të dielën pret Real Madridin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje