Politike

Bardhi: Drejtësia, 0 rezultat për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë, moszgjatja e vettingut nuk sjell ngërç

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, vlerësoi si të dështuar reformën në drejtësi në dy objektivat madhore të saj; efiçenca dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.

“Për fat të keq edhe përse kemi hyrë në vitin e gjashtë të zbatimit të reformës në Drejtësisë ka zero rezultate në raport me të dy objektivat madhore që kishte Reforma në Drejtësi. Jam i sigurt se nëse vazhdojmë me të njëjtin njësi matëse apo vlerësuese për arritjet e reformës në Drejtësi edhe kur të jemi në vitin e 16-të të zbatimit të Reformës, do të vazhdojmë të quajmë ‘sukses’ faktin që po plotësojmë gjykatat e Apelit. Siç merr në konsideratë edhe raporti i Progresit, Gjykata e Apelit ka një numër sa gjysma e gjyqtarëve që do të duhej të kishin dhe kjo ka sjellë të kundërtën e asaj që prisnin qytetarët, një drejtësi me cilësi dhe në kohë të shpejtë”  tha Bardhi në takimin e Këshillit Kombëtar të Integrimit.

Ai shprehu mosdakordësinë për prioritetet e vendosura nga qeveria, e cila, sipas tij, anashkalon integrimin për qëllime politike. “Unë nuk bie dakord që të anashkalohen prioritetet e procesit të integrimit në raport me reformën në drejtësi dhe të konsiderohen prioritet çështje që nuk kanë interes për procesin e integrimit, siç është zgjatja e mandatit të 14 individëve në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit apo organeve të vettingut. Nuk është prioritet, sepse nuk ka asnjë ngërç kushtetues në atë drejtim. Kushtetuta ka dhënë zgjidhje. Nëse do të kthehemi në kohë dua t’u kujtoj kolegëve të maxhorancës se në 2018-ën ishin ata që shkurtuan gjysëm për gjysëm stafin mbështetës të organeve të vettingut. Në atë kohë opozita ngriti zërin dhe kërkoi që organet e vettingut të ishin të pajisura me staf, financa dhe burime të mjaftueshme njerëzore. Kryeministri tha atëherë ‘duke parë, duke bërë’ dhe kërkesa e organeve të vettingut për staf dhe mbështetje nuk u mor në konsideratë. Numri i këshilltarëve u përgjysmua, duke vështirësuar dhe duke vonuar ecurinë e procesit të integrimit. Nuk ka një aleat me të mirë për një qeverisje të korruptuar sesa një sistem drejtësie i destabilizuar, siç është sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri”

.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë