Politike

Përplasja e Nr.2 për incineratorët, Bardhi: SPAK të hetojë udhëtimet e Gjiknurit. Socialisti: 14 janë të pavërteta, 3 rastësore

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi sjell një shembull se pse vettingu në politikë është i rëndësishëm.  

Duke ripublikuar grafikun e udhëtimeve të Damian Gjiknurit në kohën kur ishte ministër, që sipas Bardhit, 15 herë ka dalë jashtë Shqipërie me pronarët e inceneratorëve, numri 2 i PD-së shkruan se drejtësia duhet të fillojë hetimet  

“Afera 400 milionë euroshe e mafies së plehrave është një nga shpërdorimet më të mëdha të taksave të qytetarëve shqiptarë.

Ditën e djeshme ( e enjte) Partia Demokratike zbuloi një tjetër zgjatim të kësaj afere të pisët, nëpërmjet faktimit të lidhjeve të ngushta të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, bosëve të inceneratorëve, dhe Damian Gjiknurit, i cili ka udhëtuar mbi 15 herë me ta jashtë Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aparati shtetëror ishte vendosur në gatishmëri të mafies së plehrave.

Ky konflikt i pastër interesi i shtohet numrit të madh të provave që Partia Demokratike ka grumbulluar vitet e fundit mbi këtë aferë që bën bashkë drejtuesit më të lartë të këtij pushteti të korruptuar, e sigurisht vet Edi Ramën, që ka promovuar dhe mbrojtur këto projekte që  shkrumbojnë vetëm taksat e qytetarëve.

Tani është radha e drejtësisë të thotë fjalën e saj mbi këtë aferë 400 milionshe, që tregon edhe njëherë urgjencën që ka Shqipëria të pastrohet nga politikanët e korruptuar dhe të largoi këtë regjim plaçkitësish”, shkruan Bardhi.

Gjiknuri: Padi për shpifje. Luli dhe Gaztori i tij kanë nxjerrë PD në shitje

Pas kësaj deklarata te Sekretarit të Përgjithshëm të PD ka reaguar homologu i tij socialist, që ka paralajmëruar paditjen për shpifje.

“Efektin ndotës të të tillë Gazrave nuk ka incinerator, as impiant që ta marrë përsipër ta trajtojë. Për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme kam autorizuar dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit”, deklaron Gjiknuri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së thotë se nga verifikimet që ka kryer personalisht në sistemin TIMS, nga 17 datat e pretenduara nga PD se ka lëvizur me bosët e incineratorëve, 14 i kanë rezultur të pavërteta dhe tre të tjera rastësore.

“Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta. Tre data që përkojnë me udhëtime të miat janë krejt rastësore e pa asnjë lidhje me personat në fjale: përkatësisht dy janë vizita zyrtare në detyrën e ministrit dhe një udhëtim me automjet me familjen time”, shkruan ai.

Gjiknuri mohon se ka udhëtuar me charter, siç akuzon PD dhe i lidh akuzat e opozitës ndaj tij me “Foltoren” e Berishës, duke e nxjerrë partinë në shitje.

“Nën presionin e “Foltores”, duket qartë se Gazi i Lulit dhe Luli i Gazit e kanë nxjerrë në shitje partinë si shpifësa me pagesë, gjobvënësa ekonomikë e politikë, duke ju vetëofruar blerësit më të parë. Gaztori i Lulit të gjejë avokatin dhe bëjë gati mbrojtjen në gjykatë! Siç e sfidova dje publikisht në Kuvend, hapi i dytë, të bëjë gati heqjen dorë nga mandati si shenjë reflektimi për budallëqet me pagesë që nxjerr nga goja!”, mbyll reagimin e tij Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë