Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, nuk publikoi dokumente por tha se bazuar mbi informacionet që kishte PD-ja, kandidati i Berishës, Elton Bano, që garon për bashkinë e Lushnjës, ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000.
PD thekson se këto të dhëna janë fshehur qëllimisht në deklarimin e kandidatit, një fakt që sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij.
“Fshehja e këtyre të dhënave ka qenë me qëllim për të penguar institucionet të kryejnë verifikimin” thuhet në kërkesën e PD për verifikimin e Elton Banos nga ana e KQZ-së.
Pas reagimit të Bardhit që u shoqërua edhe me një kërkesë zyrtare në KQZ, ka reaguar edhe Elton Bano
“Deklaroj se nuk kam qenë kurrë i dënuar për asnjë vepër penale në asnjë nga shtetet ku kam qëndruar ndryshe nga kandidatët e Bravës.
Deklaroj se në Angli kam jetuar si çdo emigrant i këtij vendi dhe kam poseduar leje qëndrimi që më lejonte të shkoja e të vija deri në vitin 2010.
Deklaroj se të gjitha portalet gjobvënëse në posedim të krimit, qeverisë apo Bravës do marrin përgjigjen e merituar në 6 Mars e përgjigjen para ligjit.
Tentativa juaj e pashpresë për të përbaltur emrin tim do të shkërrmoqet ashtu si është shpërbërë kredibiliteti juaj tek qytetaret lushnjarë”, shkruan Bano.
“Sulmi politik i sotëm për mua është një sulm personal që padyshim do ndiqet në rrugë ligjore për shpifje dhe prishje imazhi parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal”, lajmëron Bano.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje