Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi publikoi në Kuvend një grafikë të udhëtimeve të Damian Gjiknurit në kohën kur ishte ministër i Infrastrukturës dhe Emergjitikës, për të treguar, sipas tij, se ai ka udhëtuar 15 herë me përfituesit kryesorë të incineratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
“…Sot nuk do flas për rolin e Arben Ahmetajt, sepse është fakt publik tashmë që kur njerëzit e emëruar nga prej tij votonin për projektin 300 milionë euro të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në Tiranë, Arben Ahmetaj ishte me pushime me përfituesin kryesor, Mirel Mërtirin. Kjo është dokumentar nga policia maqedonase, gjatë aksidentit me makinë të dy miqve dhe ortakëve në biznes.
Por rol kyç në pasurimin e miqve të tij me skemën mafioze të inineratorëve ka patur edhe Damian Gjiknuri, sot numri 2 i Partisë Socialiste. Ai ka rol kyç në skemën mafioze të incineratorëve për t’u grabitur paratë e marra borxh në emër të shqiptarëve dhe për t’i çuar në parajsa fiskale. Ky nuk ka pasur fatin e keq të bëjë aksident me Mirel Mërtirin si Arben Ahmetaj, por rezulton se ka udhëtuar 15 herë me përfituesit kryesorë të inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Ja ku janë të gjitha datat. Udhëtime me avion, makinë, anije, jaht, madje edhe charter. Prej ditës së parë në pushtet, kanë udhëtuar bashkë, kanë planifikuar bashkë dhe kanë miratuar që borxhin e marrë në emër të shqiptarëve ta çojnë tek inceneratorët, fillimisht në Elbasan, me kontratën e vitit 2014…”, tha Bardhi. Më tej ai shtoi: “Dokumentet tregojnë se Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin 2 herë brenda 1 muaji, shumë pak javë përpara miratimit të koncesionit në qeveri, ku përgjegjës direkt ishte ai si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. E njëjta skemë është përsëritur sa herë miratohej një kontratë e koncesionit të inceneratorëve.

Përpara se ta thërresë SPAK, i zgjedhuri i Edi Ramës si numri dy i Partisë Socialiste duhet tu japë përgjigje shqiptarëve edhe për disa pyetjeve:
Damian Gjiknuri duhet të thotë sa herë ka bërë pushime në shtëpinë përfituesit të inceneratorëve Mirel Mërtiri në Maltë? Për qytetarët që na ndjekin, Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen pas kompanive guackë të miliarda eurove që qarkullojnë. Nuk është çudi që edhe paratë që janë borxh këto 8 vjet dhe u janë dhënë inceneratorëve përmes Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos të kenë përfunduar në Maltë. Damian Gjiknuri duhet të thotë a ka vetë shtëpi në Maltë apo llogari të fshehura bankare të krijuara pas dhënies me koncesion edhe me firmën e tij të inceneratorëve. Sot po ndaloj vetëm këtu. Nuk po e pyes me detaje për lejet minerare të dhëna ortakut të inceneratorëve, lejet për HEC-e dhe energji, tendera nga OSHEE, etj. Për këto s’më del koha sot, por do flas në një tjetër seancë.
Sot po mjaftohem duke thënë se kjo është më e komplikuar se skema e blerjes së zgjedhjeve. Koka e Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve, nëse drejtësia bën detyrën e saj, nuk do të shohë tërmet, por cunam. SPAK-u ka mundësinë e vet të artë me këtë çështje, që shkon deri tek Edi Rama. Duhet vetëm pak vullnet…”
Pas Bardhit reagoi Damian Gjiknuri.
“Nuk doja ta merrja fjalën, por dëgjova emrin tim këtu krejt rastësisht. Ju keni një problem, problemin e keni me kontratat e inceneratorëve dhe si i kanë lëshuar ato apo me personat në fjalë? Se s’po e kuptoj. E dyta, në ato kontrata, ministria që kam drejtuar nuk ka asnjë rol. Për skenën që keni bërë kallëzim, çojeni deri në fund, por të përmendni këtu jo kështu e ashtu, kjo nuk është etike. Ti Gaz aq e ke, maksimumi do rrish te hija e tij, e do harrohesh bashkë me ta. Mos u mundo të ndërtosh karakterin tënd politik mbi shpije mbi ato grafika që nxjerre. Nëse gjen që unë e kam vizituar atë (Maltën), vetëm njëherë si ministër, po gjete më shumë se një udhëtim, o unë, o ti në këtë sallë. Në një udhëtim kam qënë në tetor të vitit 2017 apo 2018 vetëm një udhëtim. Nëse gjen dy udhëtime të mija në Maltë, ti duhet të japësh dorëheqëjen dil këtu e thuaji, ndryshe o unë, o ti në këtë sallë”.
Replikoi Bardhi nga vendi:
“Në fakt prisja të shpjegoje këto udhëtimet me mafiozët e inceneratorëve. Prisja përgjigje për pyetjen a ke apo jo llogari të fshehtë në Maltë?
Prisja të përgjigjeshe a ke apo jo shtëpi të fshehur nën emrin e ndonjërit prej miqve të tu? I kanë marrë 400 milionë euro shqiptarëve, këta që udhëton ti me charter, me jaht, me anije, me avion, me makinë. Këta…po, po”.
Gjiknuri ndërhyri duke i kërkuar të dhëna konkrete, duke folur po nga vendi dhe pa u kuptuar shume ne pergjigje nga media, ndryshe nga Bardhi.
“Ta gjej unë, ja ku e TIMS-in. Shumë mirë që e njeh që në shkollë. Bën mirë të mos flasësh shumë se mund të të përdoren si të dhëna publike kur të thërrasin për dhënë sqarime për këtë çështje. Dhe bën mirë që të gjesh ndonjë avokat të mirë”, iu përgjigj Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje