Politike

Bardhi: I ofruam LSI 15 deputetë. Kryemadhi: Mashtroni si me djegien e mandateve, premtuat se do kishim Merkel në krah

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, tha se para zgjedhjeve të 25 Prillit, PD i ofroi 15 mandate të sigurta LSI-së në një liste të vetme, por kjo e fundit i paskësh thënë se e 34 i siguronin të vetëm.

“Gjatë zgjedhjeve ka pasur një mungesë totale vullneti nga LSI për të bashkëpunuar me ne, debati i famshëm për të hyrë në listë të veçantë apo bashkë. PD i ka ofruar15 mandate, qëndrimi ishte që sipas sondazheve do fitonin 34 mandate në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kam pasur një bisedë në zyrën e kryetarit të partisë. Na thanë do i fitojmë vetë dhe nuk do hyjmë bashkë në lista. Dy muaj pasi isha caktuar drejtues politik i qarkut të Elbasanit konkludova se LSI nuk merrte asnjë mandat në Elbasan”,  tha Bardhi i ftuar në emisionin “Open”.

Petrit Vasili reagoi më pas në një lidhje direkte për të dhënë versionin e tij, që hera herës edhe dukej kakofone.

 “Nuk ka pasur kurrë diskutime për numra apo premtime mandatesh. Ka pasur vetëm një angazhim që do të kishim takime të përbashkëta gjatë fushatës elektorale, gjë që nuk ndodhi asnjëherë se mungesa e vullnetit nga PD ishte e dukshme. Diskutim për 15 mandate apo gjëra të tilla nuk ka pasur. Kemi diskutuar vetëm cila është strategjia për maksimizimin e votës”, tha Vasili.

Pas Vasilit, ishte kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi që përcolli qëndrimin më shkoqur.

“Një pyetje për të gjithë anëtarët e kryesisë së PD: Kur është mbledhur kryesia e PD për t’i propozuar LSI  listën e përbashkët? Në cilën ditë dhe orë? Listës së mashtrimit, që për djegien e mandateve do t’i dilte në krah kancelarja Merkel dhe PPE, iu shtua tashmë publikisht edhe kjo e 15 mandateve të ofruara. Një mashtrim pervers që kalon çdo limit njerëzor dhe që i shërben vetëm Ramës dhe hijes së tij”, komentoi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë