Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi vëren se ka një llogari të institucioneve të specializuara se në një periudhë 2 vjeçare, në Shqipëri pastrohen 1.6 miliard euro në sektorin e ndërtimit. Ndaj dhe ai shtron pyetjen në një debat që është rihapur për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan prapa Teatrit të Operas dhe Baletit.
“A mund të ndodhë kjo pa dijeninë e 2 njerëzve që japin lejet kryesore të ndërtimit, Edi Ramës dhe Erion Veliajt? Përgjigja është: Jo, kurrë! Kushdo që orienton debatin, duke anashkaluar këtë fakt, i shërben parasë së pistë.
Këtë qëndrim kemi mbajtur si grup parlamentar, edhe në korrik, kur u diskutua nisma e koleges Jorida Tabakut për të përmirësuar ligjin kundër pastrimit të parave. Nuk ka asnjë dyshim, se ata që janë ortakë në pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, nuk mund të pranojnë veprimin e ligjit kundër tyre. Prandaj, jemi sot vendi ku qeveria, bashkia, të korruptuarit dhe trafikantët e drogës janë ortakë mes tyre me leje ndërtimi dhe pastrimi parash.
Si një nga deputetët që kam ngritur vazhdimisht zërin dhe kam sjellë fakte për denoncimin e përfshirjes së qeverisë dhe bashkisë në biznesin e pastrimit të parave përmes kullave shumëkatëshe ripërsëris thirrjen për SPAK-un që të tregojë se është më i fuqishëm se korrupsioni politik dhe se krimi i organizuar”, komenton Bardhi.
Ai kujton se, dy vjet më parë, SPAK-u hapi një hetim, pasi në përgjimet e Antimafias italiane u zbulua se lejet e ndërtimit në Tiranë jo vetëm blihen me para të pista, por ndërtimi i kullave, shërben për pastrimin e parave të krimit të organizuar.
“Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të dinë çfarë po bëhet me këtë hetim. Heshtja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e SPAK-ut nuk i shërben interesit publik.
Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë zë gjelbër, ka bërë të domosdoshëm ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët reale, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në Bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje