Politike

Bardhi publikon emrat: Shumica e delegatëve, në Kuvendin e 18 dhjetorit, me 11 dhjetor ishin njerëzit e Topallit dhe Tom Doshit, për referendumin votuan kryetarë të LSI

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi publikoi të hënën në mesditë emrat e anëtarëve të Këshillit  Kombëtar që ishin të pranishëm në Kuvendin e 18 dhjetorit.

Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të bëjë publik edhe emrat e 5004 delegatëve krahas emrave të anëtarëve të Këshillit Kombëtar që vendosën pro “18 Dhjetorit”.

“Sot është radha të bëjmë transparencë për shumicën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të cilët zgjodhën të ardhmen dhe jo të shkuarën. Opinionin publik gjatë gjithë kësaj periudhe është mbushur me lajme të rreme dhe keqinformime të cilat bëhen për të fshehur arsyet e vërteta të rrëmujës së krijuar në Partinë Demokratike. Ju e mbani mend kur në këtë sallë mbahej mbledhja e Këshillit Kombëtar, zoti Berisha bënte thirrje për bojkotin e Këshillit Kombëtar, por kur anëtarët nuk ju përgjigjën kësaj thirrjeve filluan lajmet e rreme. Ju mbani mend gjithashtu thirrjen e përsëritur që anëtarët e Kuvendit Kombëtar të grisnin formularët, por ne ishim këtu në këtë sallë ku bëmë transparencën e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar që kishin dhënë konfirmimin për pjesëmarrjen”, tha Bardhi.  Ai tha se, shumica absolute e Këshillit Kombëtar ishin prezent në Kuvendin Kombëtar.

Ai ironizoi pjesëmarrjen në Kuvendin e 11 dhjetorit.

“Në vend të transparencës, u kyçën dyert për gazetarët. Kishte zero transparence, siç ndodh në çdo celulë ilegale. Premtuan transparencë për publikimin e emrave të delegatëve dhe nuk e bënë. U premtua transparencë prej zotit Berisha, por gazetarët nuk u lejuan as të futeshin në stadium. Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo. Nuk ju lejuan sepse në stadium do të gjenit kandidatë të Jozefina Topallit të futur si delegatë, njerëz të Tom Doshit, të futur si delegatë. Përgjegjësia jonë është të bëjmë transparencë për opinionin publik”, tha Bardhi.

“Për të ashtuquajturin referendum nuk ka asnjë të dhënë kush ka votuar dhe si ka votuar. Mund t’ju them se ka votuar një kryetar i LSI në Qarkun e Fierit. Në 92-shin ka qenë anëtar, në këtë kohë ka ndërruar disa parti, por ka shkuar të votojë me kartën e 92-shit, megjithëse është kryetar i LSI për Divjakën. Partia ka rregulla të qarta në statut kush quhet anëtar. Në dijeni tuaj, kanë votuar edhe drejtore të emëruar nga Edi Rama, që kanë hequr demokratë nga puna. Në 18 dhjetor ka pasur vetëm 1 aktivitet politik të PD, Kuvendi Kombëtar. Të tjerat janë aktivitete private, që bëjnë listat e tyre, sipas dëshirës së tyre…”, vijoi ai

Bardhi iu përgjigj edhe pyetjes se sa delegatë ka Kuvendi kur nisur nga pretendimet e të dyja palëve, i bie që Kuvendi të ketë rreth 10 mijë delegatë.

“Kuvendi ka 7646 anëtarë. Unë nuk futem në asnjë sistem privat, nuk mbledh të dhëna që kushdo mund t’i ketë për interesat  e tij. PD ka institucione dhe cilido që pretendon se ka një rol për të luajtur duhet të jetë brenda institucioneve. Unë kujtoj që ditën kur u mbyllën formularët në kasafortën personale të Palokës juve u tha se do të kishte një proces të leximit të emrave dhe ju jeni dëshmitar se kjo nuk ndodhi. Madje për herë të parë nuk lejuan gazetarët në një tubim edhe pse u premtua transparencë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë…”

Bardhi tha gjithashtu se PD mbetet e hapur për demokratët, duke shtuar se i vetmi armik për ta është Edi Rama.

“Meqë më kujtuat policinë, jeni dëshmitar të asaj që u tha para se kemi mbushur selinë me gardistë, FNSH, forca speciale, operacionale dhe marinsa. Ndërkohë ju keni qenë këtu dëshmitarë, s’keni parë as polici, as gardh. Nuk kemi njoftuar policinë. PD mbetet e hapur për demokratët. Nuk ka kjo seli asnjë frikë nga asnjë demokrat”, tha ai.

Lista e delegatëve u lexua me pas nga Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Greta Bardeli.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë