Politike

Bardhi zbardh qëndrimin e tij në kryesi: Pse propozova pezullimin e vendimit për 18 dhjetorin

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka njoftuar  përmes një postimi në Facebook se gjatë mbledhjes së kryesisë së PD-së kur u vendos për Kuvendin më 18 dhjetor, ai ka kërkuar pezullim të vendimit.

I nxitur nga një deklaratë e Gent Strazimirit i cili u shpreh se, “Bardhi nuk po tregohej i sinqertë në lidhje me diskutimet në kryesinë e PD-së”, numri dy i partisë ka sqaruar:    

“Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë sëbashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan.

Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë.

Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga Kryetari.

Ndërsa bëja këtë propozim, kolegët ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga z. Berisha në konferencë për shtyp se ‘Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 Dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”, shkruan Bardhi.

Por me tej ai nënvizon:  “Në këtë moment kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Me këtë qëndrim kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të z. Berisha.

Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale. Problemet personale duhet të mbahen në shtëpi dhe jo të jenë axhendë pengmarrje për Partinë Demokratike. Partia Demokratike është e demokratëve që do të kuvendojnë në Kuvendin Kombëtar të PD më datë 18 Dhjetor 2021”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë