Politike

Basha: 11 dhjetori si thirrje në pyll, por Kuvend jo. I vetmi që munda Ramën, Berishën s’e kam më si fasho para syve

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se nuk do të ketë Kuvend Kombëtar më 11 dhjetor në rast se nuk respektohen procedurat statutore.

“Për mua nëse aty ka 5 – 50 apo 500 firma të vlefshme, nuk janë firma, nuk janë letra, por janë demokratë dhe është detyra ime si kryetar i PD, të garantoj që të gjithë secila prej tyre të verifikohet sipas statutit, që është libri themeltar që mban bashkë demokratët. Është kushtetuta që kanalizon vullnetin e çdo demokrati, mbron të drejtat e çdo demokrati është ajo që mundëson funksionim e PD, si një parti demokratike si kudo në planet. Pa funksionimin e statutit jemi në xhungël.

Ndaj është e domosdoshme për mua dhe për çdo demokrat që çdo përcaktim statutor për thirrjen e Kuvendit të respektohet përndryshe nuk është Kuvend, është një thirrje në mal apo në pyll, por vetëm Kuvend jo…”, tha Basha në një intervistë për “News 24”

Basha nënvizoi gjatë intervistës se ai ka pasur marrëdhënie të ngushte me Berishën dhe se ishte stepur për pasojë nga sulmet e ish-kryetarit adresuar tij.  

Por siç më ka thënë një demokrat i vjetër ‘që ta njohësh plotësisht Sali Berishën duhet ta kesh përballë’, dhe unë kam pasur një fasho para syve. Sot nuk e kam më…”, tha ai

Por çfarë ka parë Basha këto kohë tek Foltorja e Berishës?

“Me atë që ka bërë këto dy muaj ka treguar qartë se atë që e ka nisur si lëvizje për gjoja demokraci, e ka sebep. Hakmarrje ndaj meje, mund ta them me gojën plotë. Ai se ka luftën me mua as për demokracinë e brendshme të PD, por me SHBA-të. Vendimi ka ardhur nga SHBA-të, të cilët e kanë përcaktuar si non-grata, të padëshirueshëm politikisht. PD nuk mund të jetë dhe nuk mund të funksionojë si mburojë për një person të shpallur non-grata, secildo qoftë ai. Askush s’mund të marrë dhe të kthejë PD si një bunker për interesat e veta”.

Basha solli ndërmend edhe fushatën për bashkinë e Tiranës.

“Pikë së pari dua ta them qartë sepse është një fakt i ditur publikisht që unë jam i pari dhe i vetmi kandidat  që ka mundur Edi Ramën në garë të drejtpërdrejtë për bashkinë e Tiranës.  Nuk e kam thënë çelësin e fitores deri më sot, por tani është momenti ta them. Ka qenë vendimi për të përjashtuar Sali Berishën nga fushata për Tiranën. Gjate këtyre viteve ekspertë dhe kompani të specializuara të fushatave  elektorale në bazë të studimeve të tyre kanë rekomanduar vazhdimisht moskandidimin e Sali Berishës në raport me interesat elektorale  me Partinë Demokratike.  Kjo ka të bëjë edhe me faktin se gjerësisht perceptohej një dualizëm në Partinë Demokratike. Protagonizmi  i Sali Berishës merrte trajtat nga ana  e perceptimit publik të një dualizmi në vendimmarrjen e Partisë Demokratike. Sigurisht kam edhe unë përgjegjësitë e mia. Ai  duhet të ishte larguar vetë, duhet të kishte lënë Partinë Demokratike, kryetarin e zgjedhur të hapnin rrugën e re që hap çdo parti e re në opozitë, por edhe unë kam përgjegjësitë e mia në lejimin e këtij dualizmi”.

Por a ka pasur dualizëm edhe ne vendime?

“Për vendimet që janë marrë mund t’ju them fare qartë dhe këto janë të arkivuara dhe mund të nxirren nga çdo arkivë mediatike që janë vendime të konsultuara me të gjitha forumet e Partisë Demokratike dhe në rastin e vendimeve që ju përmendët vendime të kërkuara me ngulm nga Sali Berisha”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë